Forcimi i Bashkëpunimit Lokal: OJF-të në Mbrojtjen e Lumit Vjosa

Vlorë, 29 Janar 2024. Përfaqësuesit e OSHC-ve lokale nga lugina e Vjosës u mblodhën në workshopin e tretë të Rrjetit të Shoqërisë Civile të Basenit të lumit Vjosa (RRSHCV) me qëllim fuqizimin dhe zgjerimin e kapaciteteve të tyre. Për më tepër zhvillimi i këtij workshop-i, synon të përmirësojë aftësitë e tyre organizative dhe të promovimit në procesin e vendimmarrjes, mbrojtjes, menaxhimit, dhe zhvillimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm të lumit Vjosa.

Trajnimi përfshiu sesione mbi “Kodin e Standardeve për Organizatat Joqeveritare në Shqipëri“, një kompleks parimesh dhe përkushtimesh mbi mënyrat se si organizatat ndërmarrin veprimtarinë e tyre. Ky kod synon të vendosë një standard të përbashkët, i pranuar përtej obligimeve ligjore, lidhur me veprimtarinë e sektorit të organizatave joqeveritare, me qëllim që t’i udhëheqë këto organizata drejt përmirësimit të efektivitetit të punës së tyre dhe rritjes së besimit të grupeve të interesit dhe të publikut të gjerë ndaj tyre.

Ndër të tjera rrjeti i organizatave shqyrtoi kërkesat e reja për anëtarësim në Rrjetin e Shoqërisë Civile të Basenit të Lumit Vjosa (RRSHCV). Anëtarët e mbledhjes diskutuan përkatësinë dhe potencialin e organizatave të reja për të kontribuar në misionin dhe qëllimet e rrjetit. Në këtë kontekst, u theksua nevoja për një proces transparent dhe objektiv për vlerësimin e kërkesave të reja për anëtarësim, duke përfshirë kriteret dhe kontributet e mundshme që organizatat e reja do të sillnin në RRSHCV.

Diskutimet e detajuara dhe vlerësimi i kërkesave të reja shërbyen si hapi i rëndësishëm drejt zgjerimit dhe diversifikimit të Rrjetit për të përmbushur qëllimet dhe sfidat e përbashkëta në misionin e mbrojtjes së lumit Vjosa.

Një nga temat kryesore të trajtuara në takim ishte çeshtja e pranimit të rrjetit në Këshillin e Basit të Lumit Vjosë, duke theksuar nevojën për lobim për të siguruar përfaqësimin e rrjetit në mbledhjet e Këshillit në të ardhmen.

Projekti ESPID 4 Vjosa është një projekt i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim – ADA, i cili zbatohet nga organizatat Euronatur dhe EcoAlbania.

Projekti synon të lehtësoje ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes aktorëve te vendim-marrjes, shoqërisë civile dhe shkencës në proceset vendim-marrëse të qeverisjes dhe menaxhimit të mire në sektorin e ujit, në basenin e lumit Vjosa.