Eventi përmbyllës i Projektit ISCCA – Menaxhimi i Qëndrueshëm i Korridoreve Ekologjik në zonën Polis-Valamarë-Rungajë-Moravë-Gramoz” u zhvillua në Elbasan, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve, organizatave, ekspertë, dhe përfaqësues të komuniteteve lokale.
Aktiviteti shërbeu si një platforme për prezantimin e rezultateve kryesore të projektit, si dhe për hapjen e një diskutimi mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me menaxhimin e korridorit ekologjik dhe peizazhit përreth.
Nga prezantimi i rezultateve tek diskutimi i hapur
Pas prezantimit të aktiviteteve dhe arritjeve të Projektit ISCCA, eventi vijoi me tre panele diskutimi, të cilat krijuan hapësirën dhe mundësinë për shkëmbim mendimesh ndërmjet aktorëve të ndryshëm të zonës.
Një ndër temat që u theksua vazhdimisht gjatë diskutimeve ishte nevoja për koordinim më të fortë dhe angazhim afatgjatë, në mënyrë që të sigurohet një menaxhim më i qëndrueshëm i korridorit ekologjik.
Sfidat institucionale në menaxhimin e korridoreve ekologjike
Paneli i parë evidentoi sfidat kryesore që hasin institucionet vendore në integrimin e konceptit të korridoreve ekologjike në planifikim dhe menaxhim.
Diskutimi theksoi se ky integrim mbetet ende i pjesshëm dhe gradual, për shkak të mungesës së kapaciteteve teknike dhe ekspertizës në nivel vendor. Një tjetër çështje e rëndësishme ishte mungesa e të dhënave të strukturuara dhe databazave të konsoliduara, çka vështirëson vendimmarrjen dhe planifikimin efektiv.
Pjesëmarrësit ngritën gjithashtu shqetësimin mbi presionet e vazhdueshme në terren, si dhe sfidat në zbatimin e politikave dhe planeve ekzistuese. Në këtë konteksti, u theksua nevoja për forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e koordinimit ndërmjet aktorëve, dhe integrimin më të mirë të të dhënave.
Një element kyç i diskutimit ishte edhe roli i komuniteteve lokale, të cilët u vlerësuan si aktorë të rëndësishëm në mirëmbajtjen e ekosistemeve dhe mbështetjen e përpjekjeve për ruajtjen, jo vetëm të korridoreve ekologjike, por ekosistemeve në përgjithësi.
Perspektivat nga terreni dhe njohuritë lokale
Paneli i dytë solli në fokus perspektivën e guidave dhe njohuritë nga terreni mbi korridoret ekologjike, duke theksuar rolin e tyre në identifikimin, promovimin, dhe ruajtjen e vlerave natyrore.
U evidentua rëndësia e zonave si Parku Kombëtar i Shebenikut, të cilët ruajnë karakterin e tyre natyror në bashkëpunim me komunitetin lokal, si dhe potenciali për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm me bazë natyrën. Në të njëjtën kohë, u ngrit shqetësimi mbi sfidat sociale në këto zona, përfshirë rënien e popullsisë dhe humbjen graduale të traditave lokale.
Diskutimet theksuan disa nga presionet kryesore mbi korridoret ekologjike, si zhvillimet infrastrukturore, përfshirë hidrocentralet në lumin Bushtricë, si dhe nevoja për menaxhim më të mirë të flukseve turistike, duke shmangur përqëndrimin vetëm në disa zona të caktuar dhe duke promovuar shpërndarjen në hapësirë më të gjerë.
Një element i rëndësishëm ishte roli i guidave në orientimin e turizmin drejt zonave më pak të eksploruara, përmes idenifikimit të shtigjeve dhe promovimit të turizmit natyror. U theksua gjithashtu nevoja për të përfshirë më shumë të rinjtë në turizmin e qëndrueshëm, si një mënyrë për të krijuar mundësi lokale dhe për të ndaluar braktisjen e zonave rurale.
Në përfundim, u nënvizua rëndësia e edukimit mjedisor, angazhimit të komunitetit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe nevoja për një zhvillim turistik të mirëmenaxhuar që ruan biodiversitetin dhe mbëshet qëndrueshmërinë afatgjatë.
Roli i komuniteteve në ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm
Paneli i tretë u fokusua në rolin e komuniteteve në ruajtjen e natyrës dhe në zhvillimin e qëndrueshëm, duke theksuar nevojën për përfshirje më të madhe dhe bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve dhe komunitetit.
Zela Koka, mësuese dhe drejtuese e Shoqatës MEDPAK, nënvizoi rolin e rëndësishëm të grave në terren, si pjesë aktive në mbrojtjen e mjedisit, ndërsa theksoi se ato mbeten më pak të përfaqësuara në fusha teknike dhe institucionale. Ajo vuri në dukje gjithashtu nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor që në moshë të hershme, përmes integrimit të edukimit mjedisor në sistemin arsimor, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të adresuar sfidat mjedisore dhe për të nxitur angazhimin e komuniteteve.
Gjatë diskutimeve, u theksua se mbrojtja e natyrës nuk mund të realizohet pa përfshirjen e komunitetit lokal, i cili përbën një aktor kryesor dhe në vijën e parë të mbrojtjes së burimeve natyrore. U diskutua rëndësia e angazhimit të komunitetit në vendimmarrje, si dhe nevoja që zhvillimi ekonomik të ndërtohet mbi një balancë të qëndrueshme midis përfitimit dhe ruajtjes së natyrës.
Diskutimi vuri në dukje se ndërgjegjësimi dhe përfshirja kërkojnë kohë, por përmes rezultateve konkrete dhe përfitimeve të dukshme, komuniteti mund të bëhet më i angazhuar. U theksua gjithashtu se institucionet duhet të ofrojnë orientim dhe mbështetje, ndërsa komuniteti duhet të ketë një rol aktiv dhe përfitime reale nga proceset zhvillimore.
Në përfundim, u nënvizua rëndësia e trajtimit të natyrës si një aleat në zhvillim, forcimit të bashkëpunimit mes aktorëve dhe vendosjes së komunitetit në qendër të proceseve për ruajtjen e korridoreve ekologjike dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Një hap drejt bashkëpunimit afatgjatë
Diskutimet gjatë eventit nënvizuan se korridori ekologjik Polis-Valamarë-Rungajë-Moravë-Gramoz përfaqëson një territor me vlera të larta natyrore, por edhe një sistem kompleks që kërkon menaxhim të koordinuar dhe gjithëpërfshirës.
Projekti ISCCA ka kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe krijimit të një baze për dialog ndërmjet aktorëve. Megjithatë, u bë e qartë se ruajtja afatgjatë e këtij peizazhi kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm, angazhim institucional dhe përfshirje aktive të komuniteteve lokale.











