Ekipi i EcoAlbania-s në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura të Qarkut Kukës iu bashkua edhe këtë vit projektit Balkans Peace Parks (B3P) për të zhvilluar aktivitete edukuese me fëmijët e luginës së Valbonës dhe të fshatit Lëpushë në alpet e Shqipërisë. Edukimi mjedisor me fëmijët tashmë është bërë një traditë e EcoAlbania-s, ku për të tretin vit radhazi, ekipi i edukimit mjedisor ka zhvilluar aktivitete me fokus ndërgjegjësimin e brezave të rinj për rëndësinë e mbrojtjes së natyrës.
Në datat 30 Korrik 2016 – 6 Gusht 2016 u organizuan një sërë aktivitetesh në klasë dhe në natyrë me fëmijët e të dy zonave të përzgjedhura këtë vit. Për realizimin e këtyre aktiviteteve u angazhuan katër vullnetarë të cilët u bënë pjesë e kësaj eksperience të pa harruar për ta.
Rreth 40 fëmijë të ndarë në tre grupe në varësi të grup-moshave morën pjesë në programin e edukimit, i cili ishte i bazuar në dy metoda kryesore: prezantimet në klasë dhe lojërat në natyrë.
Për katër ditë rresht në klasë u mbajtën prezantime mbi burimet ujore, tokën, pyjet dhe ruajtjen e natyrës, ndërsa në ditën e pestë fëmijët prezantuan punimet e tyre nëpërmjet një mini-panairi përballë prindërve dhe banorëve të tjerë.
Me anë të aktiviteteve në natyrë u synua të nxitej fantazia dhe të menduarit kritik duke dëgjuar tingujt e natyrës, duke memorizuar format e objekteve në natyrë, duke krijuar vargje për jetën e egër…etj.