Një reportazh nga Ben Andoni/ Revista JAVA
Për hir të së vërtetës, Vjosa s’është aspak e egër në Selenicë. Ai rrjedh i dembelosur dhe krejt i lëshuar. Inertet mbathin një nga brigjet e tij, ku një platformë e madhe hedhurinash po bën shtat prej akumulimit të tyre. Deri më aty, në qendrën shqiptare ku nxirret bitum prej shekujsh që s’mbahen mënd, duhet të përshkosh përmes qytetin dhe të manovrosh në rrugët me gropa drejt tij. Asfalti prej dekadash s’ka marrëdhënie të mira me qytetin! Dhe, s’ka gjasa dhe për më vonë. Diku, në dunat artificiale të hedhjeve, një bari derrash i kullot i qetë krijesat e veta, që ushqehen si të ndërkryera mbi një tog plehrash, mu mes inerteve. Varianti modern shqiptar i Uliksit të grish. Por personazhi ynë, bariu i tyre, është rehatuar me të shoqen dhe i kundron prej së largu duke u ushqyer ndenjur. Janë të veshur alla-barinjsh shqiptarë. Veshje sporti përzier me ato tradicionale. Çifti ushqehet me to, kur të gjorat krijesa (shpejt do përfundojnë në thikë) me plehrat e selenicarëve. Rrethi jetësor këtu është i dukshëm.
Një kilometër më andej, ose ndoshta më pak, Ilia Bombajn e gjej sërish, pothuaj të pandryshuar. Nuk është më kryetar këshilli i bashkisë, por mësues. Pak metra tej shtëpisë së tij, kur lemë qendrën e Selenicës, sak në një klub të stërmadh do bëhet aktiviteti i radhës për mbrojtjen e Vjosës. Si zakonisht njerëzit e EcoAlbania:Vera Bekteshi; Olsi Nika; Besiana Guri; një Tereza, që është e organizmave që merren me mbrojtjen e lumenjve; dhe patjetër “i forti” Ulrich Eichelmann ia kanë arritur sërish të mblidhen me komunitetin. Edhe këtë herë s’është kryetari i Bashkisë. Zëvendësi i tij me një zë të zvargur dhe me një fjalim patetik gjurmë-ndjellës tregon Vjosën. Bashkëvendasit ia shtrojnë muhabetit, kurse të rinjtë qeshin njëri pas tjetrit me zërin besdisës. Është vërtetë gallatë, por njerëzit e EcoAlbania s’kanë kohë të humbin. I kthjellojnë gjërat qetë. U rrëfejnë për fushatën “Save the Blue Heart of Europe” sesi ai po shtrihet në Ballkan. Vera Bekteshi me elegancë u shpjegon rëndësinë dhe fatin që janë në këtë vend edhe pse disa syresh e duan që mu nesër vendi të kthehet në Park Kombëtar. Olsi i ul me këmbët në tokë: Shiko ku jeni dhe çfarë keni! Nga imazhi i pasqyruar në një screen u projekton peshqit e Vjosës, bukuritë e zonës dhe rëndësinë. Ka plot 69 lloje peshqish këtu, që s’gjenden në asnjë vend tjetër në planet, u thotë. Këtu jeton një varietet i jashtëzakonshëm trofte, grabitqari më i madh i lumenjve malorë; Huchen-in (salmonin danubian, që arrin deri 1.8 metra), që ka qendrën në këto lumenj. Është thesar i jashtëzakonshëm për rajonin. Është thesar natyral, por mund të jetë edhe një burim ekologjik. Dëgjohen zhurma, tollovi, por edhe admirim. Në takim ka media të huaja, që i bëjnë njerëzit të ndjehen të vlerësuar dy herë. Ky është momenti i Ulrich, që u shpjegon nga fillimi banorëve sesi lumenjtë e Ballkanit janë në gjendje të mirë natyrore dhe sepse bashkëvendasit e vet janë xhelozë. U ka kapur telin selenicarëve, që ndjehen të rëndësishëm. U tregon rastin e Austrisë dhe sesi arriti që me kolegët e tij ta bëjnë nga një vend të kërcënuar Park Kombëtar. Dhe përfitimet! Hëm, dhe pse Vjosa?- pyesin pak skuthisht disa banorë nën zë. Në rastin e Shqipërisë fushata jonë fokusohet te lumi Vjosa, i cili së bashku me tributarët e tij, paraqet një rrjet lumor pothuajse natyror dhe një ekosistem unik. Përgjatë Vjosës janë parashikuar të ndërtohen tetë HEC-e të cilët aktualisht përbëjnë kërcënimin më të madh që i kanoset këtij ekosistemi. Ndërtimi i digave do ta shkatërronte përfundimisht tërësinë ekologjike të këtij mjedisi natyror lumor dhe të ardhmen e të gjithë luginës. Ka qetësi. Ilia Bombaj sheh herë pas here te nxënësit e vet. Banorët heshtin. Kushedi sesa herë i ka përsëritur Ulrich këto fjalë. Pastaj me trupin e tij prej atleti qëndron…Pauza e bën punën e vet.
EcoAlbania e përfundon aktivitetin me brohorima dhe kjo nxjerr më së miri veçoritë e etnicitetit të zonës. Nuk ka më vlleh aq shumë, siç pa Baldaçi sepse të gjorët janë të paqtë, por këta e mbyllin me brohorima. Tiparet labe mbizotërojnë. A thua do jenë vallë kështu gati që Vjosa të mos preket? E kam pak të vështirë ta besoj. Deri më tash Selenica të gjithë famën e saj e ka nga bitumi që nxirret pothuaj deri në sipërfaqe dhe grumbullohet vazhdimisht në depozita të mëdha rreth fshatit-qytet. Dy të tilla i kemi hasur udhës. Madje, ato ia shtojnë dhe zymtësinë, që e zbut dielli. Sidoqoftë vendi që dikur përmendej që nga koha e historianëve më të shquar të Lashtësisë: Straboni, Vitruvi, Aristoteli, Plini, Eliani, Dian Kaso, Plutarku, jeton plakjen e tij urbane.
Reportazhin e plotë, botuar në revistën JAVA mund ta lexoni këtu