Dukat, 5 qershor 2023. Një numër prej 28 fëmijësh të klasës së 6, 7 dhe 8 të shkollës “Hasan Mehilli” morën pjesë në orën edukative zhvilluar me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit. Këtë vit vjen me sloganin “Zgjidhje për ndotjen nga plastika”.
Ora edukative nisi në formë bashkëbisedimi me nxënësit dhe ekipin e EcoAlbania dhe ADZM Vlorë. Nxënësit u njohën me ndotësit e ajrit, tokës, burimeve ujore dhe pyjeve si dhe menaxhimin e mbetjeve përmes prezantimit me foto dhe skema.
Ata kryen në grupe eksperimentin “Çfarë është CO2?” dhe vëzhguan si formoheshin bulëzat e CO2 nga tretja e një tablete në ujë. Ora edukative u mbyll me sukses me lojën “Zakonet e sjelljes së mirë”. Klasa u nda në pesë grupe të vogla. Çdo grupi iu caktua një lloj i ndryshëm plehra-hedhësi të cilin duhet ta paraqisnin me një skeç të shkurtër që paraqet veprimet e zakonshme të tij : ndotësi i sportit, ndotësi i kinemasë, ndotësi i udhëtimeve, ndotësi i parkut dhe ndotësi i keq i qëllimshëm.
Synimi i lojës ishte që nxënësit të kuptonin se shumë prej veprimeve të tyre janë zakone dhe se të bërit mbeturina është një zakon që ka ndikim negativ në mjedis.
Diskutimi për zakonet e mira mjedisore tregoi se fëmijët e vlerësojnë natyrën dhe mjedisin që i rrethon pasi ato pastruan klasën pas mbarimit të aktivitetit.