Një fisnik, autor i shumë librave të mrekullueshëm dhe një kajakist i apasionuar, që përshkruhet më së miri në parathënien e librit të tij “Lumenjtë, Grykat, Pragjet e lumit” (1987):
Kur dikush zhytet vërtetë tek lumenjtë, grykat dhe pragjet e tyre, me shumë mundësi ai nuk i heq më nga mendja. Ai tërhiqet gjithnjë e më shumë nga kjo botë që është e ndryshme nga ajo që jemi mësuar të shohim nga shtretërit e lumenjve. Nëse e sheh nga lumi dhe e vëzhgon bashkë me rrymën, ti zbulon një peizazh të panjohur më parë, me pemë të cilat përkulen mbi sipërfaqen e ujit, me dunat e gjera apo muret shkëmbore që duket sikur prekin qiellin.
Ndonjëherë mund të trembësh një tufë zogjsh që pushojnë në dunat me rërë ose ndonjë kafshë të vetmuar që pi ujë në breg. Mund të shohësh barinjtë me kopetë e tyre, shtëpizat e vetmuara, qytetet dhe urat, tek të cilat makinat ecin me nxitim. Vetëm dikush që lundron me varkë e kupton sa i gjallë një lum mund të jetë dhe sa i pashpresë e i vdekur mund të jetë ky lum kur dikush e shkatërron apo e helmohen me ujërat e zeza që vijnë nga qytetet dhe fabrikat. Kjo është arsyeja pse kajakistët janë ata që më së shumti mundohen të zgjojnë ndërgjegjen e njerëzve dhe të shpëtojnë lumenjtë para se të shkatërrohen të gjithë.
Lumin duhet ta përjetosh. Për ata të cilët nuk kanë provuar ndjesinë e ndjelljes nga kajaku, të përplasjes në pragjet e lumit dhe të bëhen të ndërgjegjshëm për parëndësinë e tyre në thellësitë e kanioneve, ky tur do të ndihmonte sado pak për të kuptuar botën e mrekullueshme të lumenjve. Bukuria e lumenjve zbulohet vetëm duke i vozitur ata apo duke udhëtuar me kajakistët.
Kur paraardhësit tanë u bënë të vetëdijshëm për ata se çka i rrethonte, ata zbuluan për herë të parë se sa e bukur është bota. Një mëngjes është i bukur kur dielli del mbi horizont, por kur ai perëndon është mbresëlënëse të shohësh një stuhi të mbuluar nga re të zeza dhe të ndritshme. Në pranverë ne dëgjojmë cicërimën e zogjve, ndërsa në dimër ne zbulojmë melankolinë e flokëve të dëborës, që bien nga qielli gri.
Si një kajakist, unë kam zbuluar bukurinë e vërtetë të lumenjve. Mund ta shohësh atë thjesht duke ecur buzë tyre apo duke u përkulur tek një urë dhe të shohësh rrjedhat e tyre që janë gjithmonë me nxitim. Por kur je brenda një kajaku, ti hyn në një botë krejt ndryshe, një botë që menjëherë të merr me vete. Ti kalon përmes një natyre të lashtë, ku asgjë nuk merret si e mirëqenë. Ti dorëzohesh para këtij vendi të ri, ku nuk ka njerëz apo makina dhe dëgjon vetëm një murmuritje të lehtë teksa vozit. Ti kalon përmes pragjeve të lumenjve, ku ‘’muzika’’ e tyre të bën për vete, që herë është relaksuese e herë kërcënuese. Kur kapërcen vështirësitë, ti mund të ndjesh energjinë tënde, zbulon simfoninë e një murmuritjeje apo një shkëndije dhe çdo gjë bëhet e përkryer. Nëse Aristoteli do të ishte gjallë, ai do ta krahasonte udhëtimin përgjatë pragjeve te lumenjve me një dramë antike. Me arritjen e objektivit, ti ndihesh i pastër dhe i rilindur.
As poetët nuk mund t’i shpëtonin bukurisë së lumenjve. Poeti i madh i Sllovenisë, Prešeren, duke parë ujin e gjelbër e të thellë të lumenjve, i ktheu përrallat e tij të vjetra në poezi. Gregorčič shkroi një himn për lumin tonë më të bukur Soča. Çfarë do të shkruante ai për këtë lum nëse do të dinte atë çka dimë ne, që kemi vozitur pragjet e tij?
Nga ana tjetër, teknokratët thonë se zhvillimi është i pashmangshëm. Por ky zhvillim, i cili është i një-anshëm nuk meriton të quhet i tillë. A ia vlen çdo gjë që bëhet për zhvillim të shkatërrojë botën? Në vend të botës reale, ne i ofrojmë njerëzve një zëvendësim të saj në TV dhe në ekranet e filmave. Reklamat e kthyen natën në ditë dhe zëri i lartë i tyre shkatërroi veshët tanë. Dritat e rrugëve nëpër fshatra janë të ndezura gjatë natës edhe pse askush nuk ecën më në këmbë. Ne ndezim gjithë kishat tona, kështjellat e monumentet çdo natë. Ne sillemi sikur energjia është thjesht një numër më shumë në llogarinë tonë. Por duke prodhuar atë ne po shkatërrojmë botën.
Kur bota ndryshon, ajo e humbet bukurinë e saj. Shpatet e ortekët e zhveshur që dikur ishin pjesë e pyjeve tani duken të shëmtuar, qytetet industriale gjithë tym tani duken gri dhe pamja e tyre mes errësirës nuk është e këndshme. Lumenjtë që dikur ishin të pastër e të gjelbër dhe që shkëlqenin e shushurinin, tani rrjedhin pa bukuri e gjallëri, si një zonjë e vjetër dhe e lodhur. Nuk ka asnjë sfidë, asnjë inkurajim për të rinjtë dhe asnjë mundësi për çlirimin e emocioneve. Në vend të tyre, ata kanë vetëm iluzionet, që zëvendësojnë botën reale, pakënaqësitë dhe drogat.
Ne duhet të marrim një vendim dhe të krijojmë një marrëveshje midis lakmisë për rehati dhe një mendjeje të shëndetshme. Ne nuk do ta kthejmë botën në kohën e Mesjetës, por duhet të shpëtojmë mjedisin e shëndetshëm, të bukur e inkurajues. Kjo arrihet duke i mbajtur lumenjtë, që janë bukuria e vërtetë e sipërfaqes së tokës, të pastër e të rrjedhshëm. Le t’i ruajmë ata për brezat e ardhshëm, për optimizmin e ardhshëm dhe për shpirtin e pastër në trupin e një kajakisti. Le t’i ruajmë ata për peshqit e peshkatarët, gjithashtu për notarët e guximshëm, për të dashuruarit, poetët e piktorët, për psherëtimën e valëve që përkëdhel veshët tanë, për diellin e hënën, që ta shohin njëri-tjetrin tek këto valë.
—
Turi i lumenjve të Ballkanit është një aktivitet i përbashkët i Leeway Collective, EuroNatur, Riverwatch, dhe WWF, i organizuar në kuadër të fushatës “ Të shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës”. Pa marrë në konsideratë zonat e mbrojtura, speciet në zhdukje apo komunitetet lokale, janë planifikuar të ndërtohen rreth 2700 diga për hidrocentrale midis Sllovenisë dhe Shqipërisë. Me këtë fushatë, ne duam të ndalojmë tsunamin e ndërtimit të digave.
Zbulo më shumë këtu: http://www.balkanrivers.net/ dhe http://www.balkanriverstour.com/