Banorët e prekur nga ndërtimi i HEC-it të Poçemit kërkojnë dëgjesë publike

AKTIV_Logo06-07.10.2016, Çorrush, Kutë, Mallakastër. Pas mungesës së konsultimeve me publikun mbi ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit dhe neglizhencës nga ana e autoriteteve për të marrë në konsideratë kërkesat e tyre, banorët e fshatrave më të prekur nga ndërtimi i digës së Poçemit i kërkojnë qeverisë të mbajë dëgjesat publike në zonë. Sipas informacioneve që EcoAlbania ka mundur të sigurojë në rrugë zyrëtare rezulton se dëgjesa publike për hidrocentralin e Poçemit është mbajtur më 28 shkurt 2015 në qytetin e Fierit. “Kjo përbën shkelje të ligjit për konsultimin publik, ku sipas tij dëgjesat publike për projektet e HEC-eve duhet të mbahen me komunitetin e prekur direkt nga ndërtimi i digës dhe sa më pranë zonës së prekur. Sot jemi në Kutë dhe asnjë banor i zonës nuk është informuar për këtë dëgjesë” tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.

Gjatë takimit me banorët e fshtit Kutë. Foto: B. Guri/EcoAlbania
Gjatë takimit me banorët e fshtit Kutë. Foto: B. Guri/EcoAlbania

Ndërtimi i këtij hidrocentrali me digë 50 m të lartë, duke krijuar një rezervuar prej 24 km2 do të përmbytë fshatrat Kutë, Çorrush, Anëbreg, Shkozë, Sevaster, si dhe shumë fshatra të tjerë dhe do të shkaktojë probleme të shumta sociale dhe mjedisore duke përmbytur mijëra hektar tokë bujqësore, kullota dhe ullishte.

Kompania apo institucionet përgjegjëse nuk i kanë informuar paraprakisht ata për projektin dhe si rrjedhojë nuk janë bërë pjesë e procesit të vendim-marrjes. Prandaj EcoAlbania është duke ndërmarrë një fushatë takimesh informuese dhe ndërgjegjësuese me komunitetin e prekur nga ndërtimi i HEC-it të Poçemit. I pranishëm në këto takime Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Z. Agron Kapllanaj shprehu dhe njëherë mbështetjen tij kundrejt komunitetit. “Unë jam këtu për të mbrojtur interesat tuaja dhe për t’ju thënë që nuk jeni vetëm. Ne do të bëjmë gjithë përpjekjet tona institucionale që zëri juaj të dëgjohet tek vendimmarrësit” tha ai.

Vjosa është një çështje me rëndësi ndërkomëtare dhe një lumë unik për gjithë Evropën. Prandaj ndërmarrja e këtyre hapave kërkon përfshirjen e gjithë palëve të interesuara dhe në përputhje me standardet më të mira Evropiane të demokracisë.

Informacion shtesë:

LëvizAlbania po mbështet EcoAlbania-n në zbatimin e projektit “AKTIV” dhe ka si qëllim rritjen e pjesëmarrjes aktive të publikut në vendim-marrje, për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *