Ambasadori zviceran dhe shefi i zyrës së Këshillit të Evropës vizitojnë banorët e prekur nga HEC-i i Poçemit

Njoftim për shtyp nga EcoAlbania

Kutë, Mallakastër 15 Shkurt 2017. Në një takim të hapur të organizuar nga EcoAlbania në fshatin Kutë, të bashkisë Mallakastër, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri,  z. Christoph Graf,  shefi i zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, z. Claus Neukirch si dhe eksperti për çështje të demokracisë direkte, z. Andreas Gross, së bashku me kryetarin e Bashkisë ,z. Agron Kapllanaj, u interesuan për nismën e ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare për ndërtimin e HEC- Poçem.

“Çështja e Vjosës është një çështje komplekse që ka të bëjë jo vetëm më problematikat mjedisore por edhe me funksionimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, u shpreh Olsi Nika, Drejtori Ekzekutiv i EcoAlbania. Në fjalën e tij ai u ndal edhe te mungesa e transparencës në të gjithë procedurën e ndjekur deri tani nga qeveria shqiptare duke mos e informuar komunitetin e prekur dhe duke i mohuar të drejtën për të qenë pjesë e vendim-marrjes.

SONY DSC
Gjatë vizitës në fshatin Kutë © B. Guri

Gjatë bashkëbisedimit me diplomatët, qytetarët e pranishëm u shprehën kundër ndërtimit të hidrocentralit. Sipas tyre ndërtimi i tij mund të shkaktojë përmbytjen e sipërfaqes së tokës bujqësore që ata disponojnë e që është mjeti kryesor i jetesës për ta. “Toka bujqësore është e vetmja pasuri me të cilën ne mund të ushqejmë familjet tona”  – thanë banorët.

Ata u shprehën njëzëri se hidrocentrali nënkuptonte shpërngulje të paevitueshme nga toka e gjyshërve e stërgjyshërve të tyre, gjë të cilën ishin të vendosur të mos e pranonin. “Ne jetojmë këtu prej shekujsh dhe po këtu kemi varret e të parëve tanë. Shkatërrimi i tokave tona dhe katastrofa mjedisore që po përgatitet janë të papranueshme!”-tha gjatë takimit, Dilaver Murataj, banor i fshatit Kutë.

Po kështu ata pohuan se plani për ndërtimin e HEC-it nuk ishte  konsultuar asnjëherë me ta. Përveç kësaj askush nuk kishte organizuar ndonjë takim apo debat  publik, qoftë  nga qeveria qendrore apo kompania e interesuar për ndërtimin e HEC-it. “Ne si pushtet vendor nuk jemi njoftuar asnjëherë zyrtarisht lidhur me ndërtimin e HEC-it të Poçemit. Ajo çfarë kemi bërë deri tani është se kemi përcjellë zyrtarisht te qeveria qendrore në Tiranë shqetësimin e komunitetit, por ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje” ka pohuar edhe kryetari i Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj.

Në fjalën e tij Ambasadori Graff është shprehur se është befasuar me faktin se banorët nuk kanë asnjë informacion për HEC-in e Poçemit dhe i ka inkurajuar ata që të përdorin mjetet demokratike në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet.

Në vazhdim të pranishmit vizituan edhe vendin në të cilin planifikohet të ndërtohet diga e hidrocentralit në Poçem të  Mallakastrës. Aty atyre u është shpjeguar edhe mbi ndikimet në mjedis që do të ketë ndërtimi i këtij HEC-i në lumin Vjosa i cili konsiderohet si lumi i rrallë në kontinentin Evropian për shkak të integritetit të lartë natyror.

Me mbështetjen e LëvizAlbania-demokracia vendore në veprim dhe Ambasadës Zvicerane, EcoAlbania po punon për forcimin e mekanizmave që garantojnë pjesëmarrjen aktive të komunitetit në procesin e vendim-marrjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *