Bicaj, Kukës, 8 prill 2024. Mes natyrës së bukur dhe ngjyrave të pranverës, nxënësit e klasës së gjashtë në shkollën “Vehbi Shehu” në Bicaj, përmes bashkëbisedimit dhe lojërave interaktive përjetuan një eksperiencë për tu mbajtur mend. Një këtë orë ndryshe ata patën mundësinë të shprehin mendimet e tyre në lidhje me problematikat mjedisore globale dhe lokale, ndërkohë që pasuronin njohuritë me informacionet e ndara nga ekipi i edukimit gjatë sesionit teorik të edukimit mjedisor.
Me padurim, ata pritën pjesën praktike të orës mjedisore, ku mësuan mbi konceptin e elektricitetit statik duke përdorur vetëm disa tollumbace. Një aktivitet sa argëtues aq edhe edukativ për ta. Ndër të tjera, aktiviteti i zhvilluar në dyshe, nxit bashkëpunimin mes nxënësve dhe zhvillon imagjinatën e të menduarin kritik.
Nisur edhe nga problematikat e evidentuara përreth ambjentit ku jetojnë, ata u nxitën të mendojnë për zgjidhjet praktike si dhe morën këshilla se si ta mbrojnë mjedisin dhe si mund të përmirësojnë sjelljet e tyre për një mjedis më të pastër dhe natyrë të paprekur.
Aktiviteti u mirëprit edhe nga stafi i shkollës, të cilët shprehën interesin për vijimin e kësaj iniciative kaq të vlefshme, si ajo e edukimit mjedisor në shkolla.