Tiranë, 16 shkurt 2021. Kompania turke Ayen Alb ka paraqitur një padi në Gjykatën Administrative në Tiranë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për t’mos i dhënë dritën jeshile për projektin e hidrocentralit të Kalivacit. Ky veprim vjen pas lëshimit të Deklaratës Mjedisore Negative nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit në shtator 2020. Seanca e parë përgatitore ishte planifikar të mbahej sot në orën 14:00, por nuk është zhvilluar për arsye shëndetësore të gjyqëtares së çeshtjes.
Si një palë e interesuar EcoAlbania ka paraqitur sot pranë Gjykatës Administrative kërkesën zyrtare për tu bërë pjesë e këtij procesi. “Që kur jemi njohur me Deklaratën Negative të leshuar nga MTM dhe AKM lidhur me HEC-in e Kalivaçit, ne kemi shprehur shqetësimet tona mbi argumentimin e bërë nga ana e MTM. Një argumentim i dobët le shteg për kompaninë Turke që ta sfidojë këtë vendim në Gjykatë. Megjithatë EcoAlbania dëshiron të bëjë me dije se është një palë e interesuar në process dhe për ketë arsye do t’i kerkonte edhe MTM e AKM që ta përfshinte si ndërhyrës dytësorë në proces” tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.
Përfshirja e EcoAlbania’s në këtë proces do t’i shërbente mbrojtjes së kauzës duke sjellë fakte dhe argumente të tjera shkencore që mund të ndihmojnë procesin dhe të kontribuojnë në ndalimin e hidrocentralit të Kalivaçit.