Të shpëtojmë “Zemrën Blu” të Europës, në fokus lumi Vjosë

Një artikull nga Prof. Dr. Aleko Miho

Ky shkrim merr shkas nga shqetësimi i mjedisorëve evropianë dhe vendas për kërcënimet hidroenergjetike ndaj lumenjve të Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë, ku ndër ta lumi Vjosë ka vëmendje të veçantë.

Në gjithë rajonin e Ballkanit ka mbi 34000 kilometra rrjedhash lumore, ku rreth 3100 km i përkasin Shqipërisë; rreth 1/3 e tyre është në gjendje gati natyrore, thuajse të paprekur, e cila në vende si Shqipëria shkon deri në 70%. Për këtë lumenjtë e Ballkanit përbëjnë ‘pika të nxehta’ biodiversiteti, me rëndësi jetike jo vetëm për secilin vend përkatës në rajon, por për gjithë Evropën. Lumenjtë e Ballkanit strehojnë afërsisht 30% të llojeve të peshqve të kërcënuar dhe mbi 50% të llojeve të molusqeve të kërcënuar për ujërat e ëmbla të Evropës. Rreth 75% e këtyre llojeve të peshqve dhe 70% e llojeve të molusqeve janë shumë të ndjeshëm ndër të tjera nga ndërtimi i digave dhe shfrytëzimi për hidroenergjetikë, i përhapur si epidemi në dhjetë vitet e fundit në gjithë Ballkanin.


Lumi Drinos, dega kryesore e lumit Vjosa. (c) A. Guri

Informacioni është se në Ballkan janë planifikuar për ndërtim mbi 2000 diga të reja për HEC-e; rreth 90% e tyre kërcënojnë deri në shkatërrim vlerat ekologjike të këtyre rrjedhave lumore; mbi 600 prej tyre janë planifikuar brenda Parqeve Kombëtare dhe zonave të tjera të mbrojtura, si në Vjosë, Lurë ose Shebenik (në Shqipëri), në Parkun Kombëtar të Mavrovës (Maqedoni), apo përgjatë lumit Sava (në Kroaci dhe Slloveni). Janë këto fakte që kanë tërhequr vëmendjen dhe rritur shqetësimin e specialistëve të mjedisit në nivel vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar; interesim ka pasur edhe në mjetet e informimit, si të shkruar dhe atë pamore, brenda vendit dhe jashtë. Falë kësaj trysnie, peticionit të organizuar në kuadrin e nismës së Zemrës Blu (me mbi 100 mijë firma), ka të dhëna të freskëta se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bllokuar fondet për ndërtimin e dy HEC-eve në Parkun Kombëtar të Mavrovos (Maqedoni).

Nga studimet e bëra si nga WWF (2014) dhe EURONATUR & RIVERWATCH (2013), lumi Vjosë është veçuar ndër lumenjtë shqiptarë. Vjosa është ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë, me gjatësi prej 272 km dhe sipërfaqe pellgu 6700 km2, ku 4365 km2 i përkasin Shqipërisë dhe pjesa që mbetet Greqisë. Mesatarja e prurjeve shumëvjeçarë është 195 m3/s, që luhatet nga 33 m3/s deri në 237.6 m3/s, ku 84% e prurjeve rrjedhin gjatë periudhës së lagësht (dimër – pranverë). Lumi buron nga malet Pindos në Greqi; brenda territorit shqiptar mbledh ujërat edhe nga malet e Shqipërisë, përshkon disa rrethe (Përmet, Tepelenë, Gjirokastër, Fier dhe Vlorë) dhe përfundon në detin Adriatik afër lagunës së Nartës, Vlorë. Degët kryesore janë Sarandoporo (Greqi), Drino dhe Shushica (Shqipëri), por në të bashkohen edhe shumë degë të tjera më të vogla.

Artikullin e plotë të botuar në gazetën Shekulli mund ta lexoni këtu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *