Annette Spangenberg nga Euronatur dhe Besjana Guri nga EcoAlbania kanë shpjeguar së fundmi çështjen e Vjosës në revistën e Euronatur (kliko këtu dhe këtu për të shfletuar revistën) duke theksuar pikat kryesore se ku ka ngecur kjo çështje.
Në shtator 2020 Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria e tij e kishte shpallur Park Kombëtar “pjesën e sipërme të Vjosës” dhe se ajo po punonte për ta integruar me parkun “pjesën e poshtme”. Mirëpo shqyrtimet e dokumenteve publike të autoriteteve treguan se nuk bëhej fjalë për “Park Kombëtar”, por për “Peizazh të mbrojtur natyror” – një nga kategoritë më të ulëta të mbrojtjes, sidomos për degët e e Vjosës si Shushica dhe Bënça.
“[…] Aktualisht personat kompetentë për këtë çështje janë duke diskutuar një lloj Parku Kombëtar të rremë që nuk do t’i mundësojë asnjë lloj mbrojtjeje lumit dhe do t’i hapë derën projekteve hidroenergjetike,” – shprehet Annette Spangenberg nga Euronatur.
Rreth 40 projekte hidrocentralesh të parashikuara për t’u ngritur në shtratin e lumit Vjosa apo degët e saj, rrezikojnë gjithë zonën. Studime të kryera së fundmi tregojnë se projektet sjellin më shumë dëme se sa përfitime edhe në aspektin ekonomik (kliko këtu për t’u qasur me studimin).
“Me gjasë qeveria shqiptare i druhet imazhit dhe tani do të shfaqet sikur po bën diçka për Vjosën, por ne nuk do të mbetemi të heshtur përballë këtyre manovrave politike. Ne kërkojmë mbrojtje me kategorinë më të lartë për këtë lum dhe asnjë digë! Çdo gjë tjetër veç parkut kombëtar do të ishte i papërshtatshëm për Vjosën,” – vijon Annette.
Prej së paku 7 vitesh EcoAlbania është angazhuar në përmbushjen e kërkesës “Vjosa Park Kombëtar”. Në vitin 2017 Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dha një fitore të ndjeshme kur rrëzoi projektin e hidrocentralit të Poçemit – çështja është apeluar.
“Opinioni i përgjithshëm në Shqipëri është se shoqëria civile është e pafuqishme. Por nëse Vjosa do të shpallet Park Kombëtar pas një beteje të gjatë, do të provojë të kundërtën, që role të tilla në shoqëri janë të rëndësishme,” – thotë Besjana Guri nga EcoAlbania teksa kujton vendimin e vitit 2017.
Prej asokohe çështja ka marrë mbështetje kombëtare dhe ndërkombëtare. Pas disa ekspeditash dhe publikimesh në revista dhe media të njohura, rreth 776 intelektualë dhe shkencëtarë firmosën një peticion, të cilin EcoAlbania ia paraqiti Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta.
Ky mbajti një konferencë dhe deklaroi hapur mbështetjen për çështjen duke kërkuar nga qeveria shpalljen sa më parë të Vjosës “Park Kombëtar”. Presidenti mori gjithashtu pjesë në ceremoninë përuruese të Qendrës Hulumtuese Vjosa “Fritz Schiemer”.
“Kur ai [Presidenti] bëri deklaratën, Kryeministri ndoqi shembullin e tij dhe tha në shtator [2020] që Vjosa ishte tashmë Park Kombëtar […] Kështu punon politika gjithmonë. Presioni publik krijon frikë për imazhin,” – vijon Besjana teksa shpjegon se aktivitetet e më pas vajtja te Presidenti erdhi si strategji ndryshe pas indiferencës së vazhdueshme prej qeverisë.
“[…] nga Kryeministri më shumë jemi shpërfillur se sa dëgjuar, pavarësisht se organizuam protesta apo kërkuam takime. Ndaj si përfundim ndryshuam strategjinë tonë. Përdorëm zërat me ndikim në avantazhin tonë dhe s’u përqendruam më te Kryeministri,” – shprehet Besjana.
Një sondazh i “IDRA Poll” si pjesë e fushatës “Save the Blue Heart of Europe” tregoi se 94% e të pyeturve janë dakord që Vjosa të shpallet Park Kombëtar. Me vullnetin e duhur politik dhe me mbështetjen e deklaruar nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare, mbrojtja e Vjosës mund të konkretizohet brenda vitit 2023, me një projekt që do t’i mundësonte zonës një zhvillim të qëndrueshëm edhe turisitk.