Tiranë, 22 Prill 2025 — Me krenari të veçantë, EcoAlbania njofton se dy nga kolegët tanë, Olsi Nika dhe Besjana Guri, janë shpallur fitues të Çmimit Goldman për Mbrojtjen e Mjedisit 2025, çmimi më prestigjioz në botë për aktivistët e mjedisit në nivel bazë.
I njohur si “Nobeli i Gjelbër”, ky çmim ndërkombëtar vlerëson individët që marrin hapa të jashtëzakonshëm për mbrojtjen e natyrës, shpeshherë duke u përballur me rreziqe personale dhe sfida të mëdha. Çdo vit, vetëm 6 aktivistë nga 6 kontinente nderohen me këtë çmim, duke e bërë këtë arritje një moment historik për Shqipërinë dhe për të gjithë Evropën.
Ky vlerësim i jep zë përpjekjeve të palodhura të Olsit dhe Besjanës — së bashku me ekipin e EcoAlbania-s dhe partnerët EuroNatur Foundation dhe Riverwatch — për mbrojtjen e Lumit Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë.
“Ka patur shumë raste që zhgënjimi ka qenë shumë i madh, momente të vështira, dilema por në asnjë nga këto raste nuk është menduar se ky është fundi e ne do ndalojmë përpjekjet tona.”
— Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania
Nëpërmjet avokatisë, betejave ligjore dhe angazhimit me komunitetin, ky rrugëtim u kurorëzua në mars 2023 me një fitore të rëndësishme: shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, një zonë e mbrojtur unike në Evropë.
“Pa përpjekjet e palodhura të EcoAlbania-s për mbrojtjen e Vjosës, nuk do të ishim sot këtu.”
— Gabriel Schwaderer, Drejtor Ekzekutiv i EuroNatur
Ky çmim është më shumë se një vlerësim individual; është një dëshmi e forcës që fshihet pas bashkëpunimit, përkushtimit dhe guximit për të mbrojtur natyrën.
“Shpesh herë nuk e kam kuptuar peshën që ka pasur puna ime e peshën e gjithë fushatës së Vjosës.”Ajo e sheh këtë fushatë si një model frymëzimi për aktivistët në Shqipëri e jashtë vendit. “Gjëja më e veçantë është që vajza ime do të jetë shumë krenare për mamin e vet në të ardhmen e shumë si vajza ime do kenë një model për te ndjekur”— Besjana Guri, Aktiviste dhe Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun në EcoAlbania
Sot festojmë këtë njohje globale — nesër vijojmë misionin për një mjedis më të shëndetshëm dhe të mbrojtur.
Lexoni më shumë mbi profilin e Olsit e Besjanës këtu: Profili i Olsit e Besjanës
Lexoni më shumë mbi Çmimin Goldman këtu: Çmimi Goldman për Mbrojtjen e Mjedisit