Alpet e Shqipërisë dhe banorët e tyre bujar na mirëpritën këtë verë në Valbonë. Ekipi i EcoAlbania-s iu bashkua projektit Balkans Peace Parks (B3P) për të zhvilluar aktivitete edukuese me fëmijët e luginës së Valbonës. Do të shkonim në Valbonë pikërisht për të vazhduar nismën për mbrojtjen e troftës së malit si një nga peshqit më të rëndësishëm në luginë por jo vetëm. Ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e ruajtjes së troftës së malit është një element bazë për të ardhmen e kësaj popullate. EcoAlbania dhe Fondi për Ruajtjen e Troftës Kontinentale (CTCF) po punojnë për prezantimin e praktikave të duhura të peshkimit në këtë zonë.
Ndërgjegjësimi për një shoqëri më të përgjegjshme duhet të fillojë me edukimin e brezave të ardhshëm, atyre të cilëve do ju besojmë të ardhmen e planetit tonë. Prandaj dhe ne zgjodhëm t’ju bashkohemi programit të B3P për të kontribuar sado pak në edukimin e fëmijeve të luginës së Valbonës. Në datat 27-29 Korrik 2015 organizuam një sërë aktivitetesh në klasë dhe në natyrë. Brenda në klasë u mbajtën prezantime mbi ekologjinë e troftës dhe rëndësinë e ruajtjes së saj si krenaria e banorëve të luginës. Fëmijët të ndarë në tre grupe në varësi të grup moshave, morën pjesë dhe në aktivitetet në natyrë me anë të të cilave synuam të nxisnim fantazinë dhe të menduarin kritik duke dëgjuar tingujt e natyrës, duke memorizuar format e objekteve në natyrë, duke krijuar vargje për jetën e egër…etj. “Natyra është e shtrenjtë si atdheu, është e pastër dhe e bukur” u shpreh një nga fëmijët në esenë e tij. Shumë prej tyre shprehën angazhimin e për të kontribuar në mbrojtjen e natyrës së bukur që i rrethon dhe i bën të ndihen krenar.
Rritja e mëtejshme e ndërgjegjësimit, hartimi i planeve të menaxhimit, apo zbatimi i praktikave si; peshkimi sportiv përmes metodës “Kap dhe Lësho” janë praktika të suksesshme, burim i qëndrueshëm të ardhurash duke shërbyer si një ndër mjetet kryesore për të përmirësuar situatën ekonomike të komunitetit lokal. Këto janë rrugë të përshtatshme për të krijuar një marrëdhënie të favorshme mes njeriut dhe natyrës.
Nga Besjana Guri/ EcoAlbania