Kronikë/ Top Channel
Shumë rajone të vendit të cilat nuk kanë qenë në listën e zonave që preken nga përmbytjet, tanimë rrezikohen seriozisht. Ndërsa Shqipëria është tashmë me shenjë të kuqe, si ndër vendet me riskun më të madh në botë.
Ekspertët e mjedisit mendojnë se gjatë dy dekadave të fundit jo vetëm që nuk është marrë asnjë masë serioze për ndaljen e erozionit të tokës dhe disiplinimin e ujërave, por është vijuar me dëmtimet që kanë stimulaur më tej pasoja e fenomeneve të natyrës.
“Problemi e ka zanafillën tek shpyllëzimet dhe sistemi rrënjor i bimësisë tipike funksionon si një sfungjer, që nuk e lejon ujin të rrjedhë me shpejtësi të madhe. Nëse e ke këtë pyll, atëherë nuk ka nevojë për argjinatura”, deklaron specialisti Olsi Nika.
“Ka vite që lumenjve u janë prishur shtretërit nga inertet, ndërsa shpyllëzimet e kanë degraduar terrenin jashtë mase, duke bërë që të vijnë këto ujëra të befasishme”, thotë eksperti tjetër Stavri Lami.
Profesor Lami thotë se është urgjent një mirogranizim i institucioneve që merren me menaxhimin e ujërave dhe disiplinimin e tyre.
“Erozioni gjen pika të dobëta dhe godet atje. Mund të krijohen laguna ose ato toka që kanë qenë nuk do të jenë më. Ka pasur shumë institucione projektimi që merreshin me këto probleme dhe tani nuk ekzistojnë më”, nënvizon eksperti.
Shqipëria tani nuk rrezikohet vetëm nga përmbytja e lumenjve, të cilët dalin nga shtrati sa herë ka reshje të dendura, por edhe nga përmbytja që mund të vijë nga deti, i cili është bërë shumë agresiv si paosjë e dëmtimit të shtretërve të lumenjve dhe ndalimit të shkarkimit të inerteve në det.