Sot në Ditën Botërore të Lagunave u zhvillua në lagunën e Nartës aktiviteti “Të shpëtojmë Lagunat”. Dyzet nxënës nga qyteti i Vlorës udhëtuan drejt Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë për të marrë pjesë në një mëngjes kundrimi të shpendëve dhe aktivitete të tjera edukative të udhëhequra nga ekipi i EcoAlbania në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura Vlorë.
Duke qëndruar në bregun e lagunës nën rrezet verbuese të diellit të dimrit, biologia Betilda Ahmeti i prezantoi fëmijët me speciet e shumta të shpendëve që e kanë lagunën e Nartës shtëpi gjatë dimrit, duke përfshirë çafkat, flamingot, pelikanin kaçurrel dhe shpendët e tjerë të ujit. Duke kaluar dylbitë tek njëri-tjetri dhe duke shijuar shansin e tyre të parë për të përdorur teleskopët profesional të vëzhgimit të shpendëve, fëmijët e klasës së 6-10 nga “Shkolla Reald Vlorë”, u emocionuan nga shumëllojshmëria e madhe e gjallesave që jetonin vetëm disa kilometra larg qytetit të tyre.
Ndërkohë që shumë nga fëmijët kishin vizituar manastirin e Zvërnecit në anën jugore të lagunës, më afër zonës metropolitane të Vlorës, pak prej tyre kishin pasur mundësinë t’i afroheshin shpendve që ushqeheshin në ujërat e cekëta të lagunës dhe pellgjeve të kripura dhe entuziazmi i tyre ishte i madh.
Në një seancë pyetje-përgjigje të koordinuar nga kolegia e EcoAlbania, Marjana Çereku, fëmijët dhe mësuesit shprehën pikëpamjet e tyre për situatën aktuale të zonës, e cila përballet me një të ardhme të pasigurt për shkak të planeve për ndërtimin e një aeroporti brenda zonës. Megjithëse ka pasur shumë përmirësime estetike në rrugët dhe vendkalimet zonës së Vlorës në kohët e fundit, eventi “Të shpëtojmë Lagunat” synoi gjithashtu të demonstrojë vlerën e të pasurit një vend kaq të bukur natyror dhe me aksesim të lehtë të qytetit, si për potencialin e tij eko-turistik dhe si një habitat jetik për banorët e tij “jo njerëz”.