Takimi i Miqve të Vjosës

Takimi i përstinshëm i Miqve të Vjosës mblodhi sërish miq të vjetër e të rinj. Që prej Marsit kur u realizua takimi i fundit “shumë ujë ka rrjedhur në Vjosë” e shumë zhvillime ka patur lidhur me përpjekjet tona për mbrojtjen e saj. Nga ana tjetër zhvillime ka patur edhe në kah të kundërt, ku planet për ndërtimin e HEC-eve në luginë janë rigjallëruar.

Gjatë takimit të radhës të miqve të Vjosës © I. Angoni
Gjatë takimit të radhës të miqve të Vjosës © I. Angoni

Kryetemë e takimit ishte diskutimi për nënshkrimin së fundmi të kontratës së koncesionit për HEC-in e Kalivaçit. Gazetarë, studentë, juristë, profesorë dhe aktivistë nga organizata të shoqërisë civile shkëmbyen informacion, diskutuan mbi atë që po ndodh aktualisht në Vjosë, por edhe në lumenjtë e tjerë në të cilët janë parashikuar të ndërtohen hidrocentrale, si dhe hodhën ide të reja për një bashkëpunim edhe më të qëndrueshëm për mbrojtjen e Vjosës në të ardhmen.

Ndër zhvillimet më të rëndësishme për të cilat u fol në takim ishin:

  1. Vijimi i kryerjes së studimeve në Vjosë: Në vjeshtë pritet të publikohet Studimi i Sedimenteve të Vjosës, realizuar nga studiuesit e Universitetit BOKU të Austrisë në UP Tiranë. Dy studime të tjera të planifikuara për tu kryer janë ai i vlerësimit të alternativave, raporti humbje-fitim (ku do të vlerësohen humbjet nga ndërtimi i HEC-eve në Vjosë, krahasuar me potencialin që lumi ka për zhvillim të qëndrueshëm nëpërmjet turizmit), si dhe studimi për rajonin e Ballkanit, i cili do të identifikojë, ndër të tjera, zonat ku nuk duhet të ndërtohen HEC-e (No-Go zones).

    Gjatë takimit të radhës të miqve të Vjosës © I. Angoni
    Gjatë takimit të radhës të miqve të Vjosës © I. Angoni
  2. Shfaqja e filmit “Zemra Blu”, realizuar nga Patagonia, që trajton edhe luftën për mbrojtjen e Vjosës, më 6 Maj në Tiranë dhe më pas në luginën e Vjosës. Filmi vijon të shfaqet në të gjithë botën dhe së fundmi ai u shfaq edhe në Parlamentin Evropian.
  3. Vizita e Konventës së Bernës në Vjosë, për të kryer një “vlerësim në vend” të situatës dhe për të hetuar se deri në çfarë mase planet për zhvillimin e hidrocentraleve po rrezikojnë objektivat e Konventës.
  4. Nënshkrimi i kontratës koncesionare për HEC Kalivaç si dhe plane për 4 hidrocentrale të planifikuara në Shushicë, ndërsa konsultimi publik me komunitetin lokal nuk është kryer sipas kërkesave të ligjit.

Rreziku më akut për Vjosën aktualisht është hidrocentralit të Kalivaçit. EcoAlbania ndau me miqtë e Vjosës hapat që do të ndërmerren në të ardhmen për ta kundërshtuar ndërtimin e tij, siç janë ankimi në Komunitetin e Energjisë të BE-së deri tek  një proces i dytë gjyqësor (pas atij për HEC-in e Poçemit), ku të kërkohet pavlefshmëria e kontratës së koncesionit për HEC-in e Kalivaçit.

Gjatë takimit të radhës të miqve të Vjosës © I. Angoni
Gjatë takimit të radhës të miqve të Vjosës © I. Angoni

Një ndër idetë që lindi në takim, lidhur me intensifikimin e përpjekjeve për mbrojtjen e Vjosës, ishte edhe krijmi i një  grupi gazetarësh dhe aktivistësh të fushave të ndryshme të cilët nëpërmjet shkrimeve dhe hulumtimeve të tyre tu japin të kuptojnë njerëzve më tej se problematika e hidrocentraleve në Vjosë, nuk është vetëm çështje mjedisore, por edhe ekonomike, sociale e kulturore në të njëjtën kohë.

Takimet e miqve të Vjosës janë takime të përstinshme të cilat do të vijojnë të zhvillohen edhe gjatë muajve në vazhdim duke shpresuar që ky rrjet të zgjerohet akoma më shumë. Për tu bërë pjesë e takimeve të radhës mund të na kontaktoni në: [email protected].

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *