Workshop me OSHC-të mjedisore në Korçë

Organizatat mjedisore që operojnë në qarkun Korçë njihen me platformën online të projektit ENGONA (Environmental NGO Network in Albania/Rrjetëzimi i Organizatave Mjedisore në Shqipëri).

Kështu, për kauzat e përbashkëta siç mund të jetë ruajtja e zonave rreth Liqenit të Ohrit, organizatave lokale të shoqërisë civile u krijohen mundësi bashkëpunimi, konsultimi, koordinimi dhe ndërveprimi me organizatat e tjera.

Platforma e ngritur nga ENGONA është tashmë funksionale dhe do të jetë aktive për organizatat edhe pas përfundimit të projektit.

Ajo synon zbutjen e fragmentarizimit që ekziston mes organizatave përmes rrjetëzimit tematik i tyre për: advokim mjedisor, legjislacion, ndotje dhe biodiversitet.

Takim trajnues me përfaqësues të katër rrjeteve. (c) EcoAlbania

Gjithçka iu bë me dije organizatave lokale gjatë një takimi trajnues me përfaqësues të katër rrjeteve të ngritura si dhe me Prof. Dr. Arben Malajn dhe MSc. Fjona Kurteshin.

Organizatat vlerësuan nismën duke u shprehur pozitivisht. Ato theksuan se ishte hera e parë që mund të bashkëpunonin me organizata të tjera në Shqipëri në një kohë kur kryesisht bashkëpunimet i kishin pasur vetëm me organizata që veprojnë jashtë kufijve.

Takimi trajnues me organizatat e shoqërisë civile u zhvillua më 17 qershor 2022 në Korçë nga Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje (PPM) në bashkëpunim me organizatën EcoAlbania dhe Qendrën ACEG (Albanian Centre for Environmental Governance).

Projekti ENGONA mbështetet nga LëvizAlbania dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).