Organizatat e Shoqërisë Civile i drejtohen Qeverisë: Mos ndërmerrni asnjë vendim pa u siguruar për transparencë dhe pjesëmarrje

Letra e dërguar Kryeministrit Edi Rama, Presidentit të Republikës Ilir Meta, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi nga WWF Adria dhe 10 OJF përmban rekomandime për përshpejtimin e hapave drejt ekonomisë së gjelbër. Organizatat kërkojnë kufizimin e vendimeve të cilat nuk janë urgjente për shëndetin dhe sigurinë e popullsisë.

TIRANË, 6 Maj 2020–Transparenca e plotë dhe mirëqeverisja janë parësore në këto kohë në mënyrë që të mos cënohen të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe vendimmarrja demokratike në shoqërinë tonë, është mesazhi i dërguar qeverisë shqiptare sot nga WWF dhe organizatat bashkëpunëtore. Organizatat e Shoqërisë Civile janë të vetëdijshme për kushtet ekstreme në të cilat qeveria po punon. Megjithatë, ato i kërkojnë qeverisë që të shtyjë për më vonë çdo vendimmarrje e cila nuk lidhet në mënyrë të menjëhershme me shëndetin dhe sigurinë e njerëzve, për të cilat nuk mund të sigurohet një pjesëmarrje dhe transparencë e plotë në këtë moment.

Lumi Vjosa në rjedhën e mesme (c) G. Subic

Në letrën e drejtuar Kryeministrit, Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit si dhe për dijeni të Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, WWF, INCA, EcoVolis, Milieukontakt Shqipëri, REC Albania, AIC Shkodra, EDEN, EcoAlbania, SHBO, PPNEA, TOKA, sjellin në vëmendje të vendimmarrësve disa rekomandime që përshpejtojnë transformimin drejt një ekonomie miqësore me klimën, që respekton mjedisin dhe ripërtërin natyrën, shëndetin dhe mirëqënien e njërezve. Organizatat rekomandojnë që:

  • Të mbështetet dhe forcohet zbatimi dhe financimi i standardeve dhe politikave ekzistuese mjedisore për të adresuar krizën e klimës, humbjen e biodiversitetit dhe ndotjen e mjedisit.
  • Të investohet më shumë në ngritjen e vetëdijes dhe edukimit në lidhje me të drejtat e njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e natyrës, duke forcuar shoqërinë tonë për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.
  • Të bëhet e mundur shpërndarja e fondeve stimuluese dhe masave lehtësuese sipas kushteve, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe Marrëveshjen e Parisit, në mënyrë që të drejtojë transformimin e ekonomisë sonë drejt qëndrueshmërisë.
  • Të fillohen nisma të gjera e të qëndrueshme në përputhje me interesin publik.
  • Të sigurohet mbështetje për organizatat (lokale) të shoqërisë civile.

Letra e dërguar Kryeministrit, Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë gjendet KETU

 Për më shumë informacion:

[email protected]