Dita Botërore e Ujit: Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” kërkon Moratorium të hidrocentraleve në Shqipëri.

++HEC-et gjenerojnë konflikte në komunitetet e prekura dhe shkatërrojnë mjedisin në mënyrë të pakthyeshme++

Tiranë, 22 mars 2017. Me rastin e Ditës Botërorë të Ujit, grupimi “Të mbrojmë lumenjtë”  kërkon të tërheqë vëmendjen e vendimmarrësve duke u shprehur se ndërtimi HEC-eve në Shqipëri nuk është bërë aspak në harmoni me natyrën dhe me komunitetet që preken.

Të shqetësuar nga indiferenca e qeverisë ndaj kërkesave të herë pas hershme, protestave dhe pozicionimeve publike kundër ndërtimit të pakontrolluar të hidrocentraleve në lumenjtë e vendit, organizatat mjedisore përsëritin kërkesën për një Moratorium 3 vjeçar të zhvillimit dhe zbatimit të projekteve të HEC-eve në të gjithë territorin e Shqipërisë.

WaterDaystudimin “Rastet e konflikteve ujore të lidhura me zhvillimin e hidroenergjisë në Shqipëri”  të kryer nga disa organizata aktive mjedisore, pjesë të grupimit janë evidentuar të paktën 18 raste konfliktesh të lidhura me hidrocentralet gjatë periudhës 2012-2016. Në të shumtën e rasteve hidrocentralet gjenerojnë konflikte mes kompanisë ndërtuese apo operuese dhe komunitetit të prekur. Komunitetet dhe OJF-të kanë protestuar dhe kanë ndërmarrë hapa të shumtë për të kundërshtuar projektet e këtyre HEC-eve, ku si pasojë 34 persona janë arrestuar dhe shoqëruar në polici, mes të cilëve gra dhe fëmijë.

drejtat e përdorimit të ujit, kryesisht për vaditje dhe mungesa e informimit dhe konsultimeve (në 21% të rasteve) përbëjnë shkaqet kryesore që çojnë në konflikte të lidhura me zhvillimin e hidrocentraleve në vend. Në 18 rastet konfliktuale të evidentuara janë raportuar 6 viktima të lidhura ngushtë me projektet e hidrocentraleve (3 viktima nga aksidente në punë; 1 viktimë nga konflikti i lindur nga ndërtimi HEC-it; 1 i plagosur dhe 1 tentativë vrasjeje). Në asnjë nga rastet konfliktuale të identifikuara, palët nuk kanë arritur në marrëveshje zyrtare bashkëpunimi për shkak të protestave apo kundërshtive nga banorët vendas. Transformimi apo përvetësimi i territorit dhe ekosistemit nga përdorues të rinj (shoqëritë koncesionare energjetike) i kanë zhvendosur dhe iu kanë hequr të drejtën tradicionale të përdorimit të ujit dhe kanë kërcënuar shtresa të ndryshme të shoqërisë. 52% të intervistuarve deklarojnë se komunitetet vendore/fermerët dhe fshatarët janë grupi më i prekur. Në 67% të rasteve, reagimi ka nisur pasi makineritë kishin filluar gërmimet në vend.

Nga ana tjetër hidrocentralet dëmtojnë mjedisin në mënyrë të pakthyeshme duke shkaktuar prishjen e peizazhit, habitateve dhe biodiversitetit, ndryshimin e regjimit të rrjedhës ujore dhe përmbytje. Shumica e tyre ndodhen në zona me ndjeshmëri të lartë mjedisore dhe sociale, në zona të mbrojtura natyrore dhe në toka të banuara. Në Shqipëri pasojat negative sociale dhe mjedisore kanë shkaktuar debate, kundërshtime, konflikte, protesta dhe padi në lidhje me hidrocentralet, ku mund të përmendim rastin e hidrocentralit të Poçemit në lumin e Vjosës apo HEC-et në Parkun kombëtar të lumit të Valbonës dhe Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë. Arsyeja kryesore lidhet me faktin se asnjë vend i shenjtë, park apo lumë nuk është lënë i paprekur nga ky shpërthim koncesionesh.

Prandaj Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” i kërkon qeverisë një Moratorium 3 vjeçar të zhvillimit dhe zbatimit të projekteve të HEC-eve në të gjithë territorin e Shqipërisë, i cili do të krijojë mundësinë që të ndërhyhet menjëherë për frenimin e kësaj situate dhe përmirësimin e shpejtë të gjendjes aktuale e cila vlerësohet si alarmante nga shoqëria civile ashtu dhe donatorë të ndryshëm në fushën e ruajtjes së natyrës.

Informacion shtesë:

Përgjatë 2002-2016 janë identifikuar 183 marrëveshje koncesionare të firmosura nga qeveria për ndërtimin e 524 hidrocentraleve. Nga këto shifra, 117 HEC-e janë në operim dhe licencuar nga ERE; 43 HEC-e janë në ndërtim dhe 364 HEC-e janë të planifikuara nga ministria e energjisë por nuk kanë filluar akoma ndërtimin.  Në bazë të ligjit të koncesioneve (neni 36, pika 1) licencat për këto koncesione mund të rishikohen, ose mund të anulohen.

Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” synon mbrojtjen e lumenjve të Shqipërisë nga zhvillimi i pakontrolluar i projekteve energjetike.

Organizatat anëtare: EcoAlbania | Qendra EDEN | Miliekontakt Shqipëri | INCA | Qendra Lex Ferenda | Instituti i Politikave Mjedisore | ILIRIA| Grupimi Ekolëvizja | Egnatia | IMMT | Agri-en | Shoqata Ekspertet e Rinj Mjedisor | AOS |Aleanca e Alpeve Shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *