Biti e Poshtme, Kosovë, 11 korrik 2020. Parku Kombëtar i Sharrit në Kosovë po përballet me kërcënimin e tharjes së lumenjve për shkak të ndërtimit të disa hidrocentraleve. Edhe pse banorët i kanë kundërshtuar këto projekte, ndërtimi i tyre ka avancuar, ashtu siç po ndoodh në një nga lumenjtë e zonës, në lumin Lepenc. Në një takim me banorët e fshatit Biti e Poshtme përfaqësues të EcoAlbania, GAIA Kosovë dhe organizata të tjera vendore biseduan mbi rrugët për të ndaluar këto projekte. EcoAlbania ndau eksperiencën e organizatës me lumenjtë në Shqipëri, dhe lumin Vjosa në veçanti. Takimi u transmetua direkt në televizionin kombëtar.
Në lumin Lepenc janë dhënë leje për ndërtimin e 6 hidrocentraleve nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE). Edhe pse banorët kanë protestuar kundër ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Lepenc, ZRrE-ja, ka vazhduar me lëshimin e lejeve për hidrocentrale. Edhe gjatë momenteve të takimit me banorët kompania ndërtuese po vazhdonte punimet në shtratin e lumit.
Sipas banorëve me ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Lepenc, do të ketë dëmtim dhe degradim të mjedisit. Banorët shprehen të dëshpëruar për fatin e lumit të tyre dhe kërkuan ndihmë nga ana e burimeve njerëzore të specializuar në çështjet juridike. Drejtori Ekzekutiv i EcoAlbania-s, u shpreh i gatshëm t’i ndihmonte me mbështetje ligjore nga Shqipëria, duke u ndalur edhe tek ndikimet negative që kanë HEC-et në mjedis. Ai ndau me banorët eksperiencën e gjatë me lumin Vjosa, dhe përshkroi situatën aktuale me HEC-et në Shqipëri dhe pothuajse në të gjithë Ballkanin.
Informacion i përgjithshëm: Lumi Lepenc është lum që graviton në pellgun e detit Egje dhe është degë e Vardarit. Lepenci buron në shpatet veriore të malit Sharr tek Oshllaku në 2.212 m. Lepenci në territorin e Kosovës është i gjatë 53 km, sipërfaqja e pellgut 607 km2, kurse prurja mesatare vjetore 7,9 m3 në sekondë.