Sfidat e nismave qytetare ndaj kauzave mjedisore. Shqetësimet e sjella nga përvoja dhe përpjekjet e deri më sotme

Kauzat mjedisore në Shqipëri kanë një historik të shkurtër krahasuar me vendet e tjera të Evropës për arsye të lidhura ngushtë me faktorët politikë e socio-ekonomikë. Megjithatë është për t’u vlerësuar progresi i bërë në ngritjen e këtyre kauzave sidomos nga organizatat e shoqërisë civile.

IMG_2547
Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i Ecoalbania, gjatë Konferencës Ndërkombëtare “Ne populli; Pjesëmarrja e qytetarëve dhe demokracia e drejtpërdrejtë. (c) EcoAlbania

Mjedisi shpesh nuk përfshihet në politikat financiare dhe konsiderohet si diçka pa një çmim fiks në treg, pikërisht për arsyen se pronësia mbi të është një koncept mjaft i gjerë. Shërbimet e ekosistemit dhe burimet natyrore, të cilat janë pjesë esenciale e mjedisit janë baza e zhvillimit ekomomik. Në vendet në zhvillim, si Shqipëria, tentativa për të zhvilluar ekonominë në mënyrë të shpejtë dikton prishjen e balancave të zhvillimit të qëndrueshëm duke i mëshuar gjithnjë e më pak rëndësisë së mjedisit si pjesë e trekëndëshit të konceptit për zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo shpesh ka udhëhequr edhe zhvillime të gabuara të cilat duke mos u bazuar në analizë shkencore por në direktiva politike, në fund të fundit kanë dëmtuar mjaft mjedisin në Shqipëri. Dhe sot ne ndeshemi me një sërë problematikash të mprehta mjedisore siç janë; ndotja e ajrit, ndotja e ujërave, dëmtimi i pyjeve, dëmtimi i biodiversitetit, degradimi i lumenjve, erozioni etj.

Shqipëria në këtë çerek shekulli ka bërë mjaft hapa përpara sidomos në përmirësimin e kuadrit ligjor mjedisor si pjesë e përpjekjeve drejt rrugës së anëtarësimit në BE. Megjithatë aktualiteti tregon se ka ende shumë punë për t’u bërë sidomos në pjesën e zbatimit të këtij legjislacioni. Bashkëpunimi mes autoriteteve shtetërore me shoqërinë civile është në nivele pioniere. Niveli i kërkimit shkencor në Shqipëri është gjithashtu mjaft i ulët. Ky është një nga faktorët që e thellon edhe më tej hendekun e mungesës së bashkërendimit të faktorëve të shoqërisë për një proces sa më gjithëpërfshirës vendim-marrjeje dhe zhvillimi.

Mungesa e transparencës e bën gjithnjë e më të vështirë aksesin e publikut te informacioni mjedisor. Shpeshherë edhe pse legjislacioni shqiptar është mjaft i plotë në këtë drejtim, autoritetet ligj-zbatuese çalojnë në përmbushjen e detyrave të tyre të shtyrë nga mungesa e profesionalizmit ose nga faktorë të tjerë jodemokratikë. Pikërisht transparenca e munguar dhe mënjanimi i publikut nga procesi i vendim-marrjes janë bërë shpeshherë promotori i ngritjes së kauzave mjedisore. Në sisteme demokratike të brishta si në Shqipëri sfida më e madhe e kauzave mjedisore është që ato të injorohen, keqpërdoren për qëllime politike apo të kundërshtohen me forcën e ligjit të dy-standardizuar.

Shkenca

Shkenca motori kryesor i progresit të një shoqërie. Ndërhyrjet e studiuara dhe të bazuara në analiza shkencore në mjedis mund të jenë një garanci më shumë drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Në kushtet e Shqipërisë ku kërkimi shkencor është ndoshta në vlerat më të ulëta historike nga njëra anë dhe ku nevoja e ngutshme për zhvillim dikton përgjegjësi në vendim-marrje nga ana tjetër, është mjaft e vështirë të gjykohet mbi qëndrueshmërinë e programeve qeverisëse. Për më tepër në përpjekje për të zbatuar legjislacionin shoqëria po prodhon dhe po institucionalizon antishkencën përmes legjitimimit të “super-ekspertëve”. Kjo nuk dëmton vetëm mjedisin por edhe kulturën e meritokracisë në demokraci.

Demokracia

Demokracia në Shqipëri vazhdon të jetë mjaft e brishtë. Në këtë kontekst publiku e gjen veten shpesh të përjashtuar nga vendim-marrja. Mundësia e shprehjes së vullnetit të tij vetëm përmes votës (një herë në katër vjet) në fakt e kufizon publikun të marrë pjesë aktive në vendim-marrje. Në kushtet e nivelit të ulët të llogaridhënies nga autoritetet pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në demokraci do të ishte një rrugë drejt së cilës shoqëria shqiptare duhet të orientohet. Kultura dhe historiku i referendumeve në Shqipëri është pothuajse inegzistent. Kjo për arsye edhe të disfavorizimit që vjen nga kuadri specifik ligjor por edhe nga mungesa e besimit të publikut te procesi.

Megjithatë për aq kohë sa referendumet shtrohen për çështjet dhe jo për personat (apo partitë politike) kjo mund të jetë forma më e mirë për të kundërshtuar vendimet të cilat çojnë në një zhvillim regresiv.

Sfidat

Sfidat më të rëndësishme për sa i përket kauzave mjedisore në kushtet e Shqipërisë janë mjaft komplekse. Kultura demokratike, standardet ekonomike si dhe shterimi i ekspertizës janë ndër faktorët kyç që pamundësojnë gjithnjë e më shumë trajtimin me prioritet nga publiku të kauzave mjedisore.

Nga ana tjetër situata ekonomike dhe kultura e dobët e sundimit të ligjit ndikojnë që mjedisi të mos shihet si prioritet edhe nga ana e autoriteteve. Në këtë kontekst situata paraqitet një përzierje mes mungesës së profesionalizmit dhe abuzimit në zbatimin e kuadrit ligjor.

Një nga sfidat më të mëdha për sa i përket kauzave mjedisore është se problematikat mjedisore e japin efektin e tyre të shtrira në kohë dhe kjo bën që të mos përqafohen menjëherë nga komuniteti. Megjithatë problemet e mjedisit janë në më të shumtën e rasteve të pakthyeshme dhe mjaft të kushtueshme dhe në këtë pikë përgjegjësia e planifikimit largpamës të bazuar në shkencë i përket më së shumti autoriteteve qeverisëse.

Nga Olsi Nika/EcoAlbania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *