Reporter.al: Beteja për Vjosën mbërrin në gjykatë, padi për HEC-in e Poçemit

Nga Ivana Dervishi / BIRN

Pamje nga lumi Vjosa në Tepelenë. (c) Ch. Baumgartner

Tre organizata mjedisore në mbrojtje të lumit të Vjosës dhe 38 banorë të prekur nga hidrocentrali i Poçemit paditën të premten Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Energjetikës dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, ndërsa kërkuan që gjykata ta shpallë kontratën të pavlefshme.


Beteja për mbrojtjen e lumit Vjosë u zhvendos të premten në gjykatë, pasi tre organizata mjedisore dhe banorët e prekur nga hidrocentrali i Poçemit iu drejtuan me një padi Gjykatës Administrative në Tiranë, ku kërkuan pavlefshmëri absolute të koncesionit të hidrocentralit të Poçemit.


Organizatat EcoAlbania nga Shqipëria, Riverwatch nga Austria dhe EuroNatur nga Gjermania, si dhe 38 banorë të zonave të prekura paditën Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe kërkuan pavlefshmëri absolute të procedurave koncensionare, si dhe konstatimin si të paligjshëm të kontratës së lidhur me shoqërinë “Kovlu Energji” për HEC-in në Poçem.


Paditësit e konsideruan ndërtimin e hidrocentralit si plan për shkatërrimin e Vjosës dhe kërkuan përmes padisë ‘pezullimin e çdo vendimi apo premtimi për këtë hidrocentral’.


“Jemi të vendosur ta mbrojmë këtë kërkesë në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. Bëhet fjalë për mbrojtjen e njërës prej zonave natyrore më me vlerë jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Europën”, deklaroi Olsi Nika, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Europës” nga EcoAlbania.


Organizatat mjedisore dhe banorët thonë se institucionet shtetërore e kanë ndërtuar procedurën dhe kontratën koncensionare në mënyrë jotransparente dhe e kundërshtojnë HEC-in në Poçem mbi disa argumente.


Në padinë e dorëzuar në gjykatë, ata argumentojnë se Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis për Poçemin është jashtë standardit dhe në 60 për qind të saj përmban arsyetim të kopjuar nga projekte të tjera.


Së dyti, padia bazohet mbi pretendimin se banorët e fshatrave Kutë, Çorrush, Sevaster, Shkozë, Golimbas, Mazhar etj, të cilët preken nga projekti i HEC-it të Poçemit nuk kanë qenë pjesë e konsultimit publik paraprak, i cili është kusht për vazhdimësinë e projektit energjetik.


EcoAlbania, një organizatë mjedisore e angazhuar kundër ndërtimit të digave në lumin Vjosë, ka vlerësuar se në fshatin e Kutës, 90 persona do të detyrohen të zhvendosen për shkak të hidrocentralit të Poçemit, ndërsa pjesa më e madhe e tokave bujqësore dhe ullishteve do të përmbyten nga rezervuari i HEC-it.


Vjosa është një ndër lumenjtë e fundit të egër në Europë, që ka vlera të mëdha natyrore për Ballkanin dhe kontinentin.


Pavarësisht premtimit elektoral të kryeministrit Rama për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar dhe ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve, në korrik 2015 Këshilli i Ministrave i hapi rrugën procedurës për dhënien me koncesion të hidrocentralit të Poçemit.


Në nëntor 2016, Ministria e Energjisë njoftoi dhënien e lejes për ndërtimin e hidrocentralit  dhe nënshkrimin e kontratës me kompaninë turke “Kovlu Energji”.


Pas zbulimeve të planeve për HEC në Poçem, mjedisorët në Shqipëri dhe Europë u angazhuan në fushata sensibilizuese ku kërkuan anulimin e planeve për shfrytëzimin hidroenergjetik të Vjosës, duke arsyetuar se zona duhet të shfrytëzohet në forma më miqësore me natyrën dhe në harmoni me banorët vendas.


228 shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës iu bashkuan në shtator përpjekjes së aktivistëve dhe studiuesve shqiptarë për të mbrojtur lumin Vjosë dhe kërkuan një moratorium 3-vjeçar për t’i dhënë kohë ekspertëve të studiojnë në thelb pasuritë ekologjike të Vjosës.


Planet e qeverisë shqiptare për të ndërtuar hidrocentrale mbi lumin Vjosë janë kritikuar edhe nga Parlamenti Europian, që i ka bërë thirrje Tiranës zyrtare të marrë në konsideratë propozimin për ta kthyer luginën në një park kombëtar.


Artikulli i publikuar nga Reporter.al / BIRN.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *