Qeveria shqiptare nënshkruan angazhimin për shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës

Shqipëria ndëmerr një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së lumit Vjosa duke nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa. 

Tiranë, 13 qershor 2022. Pas dhjetë vitesh aksioni të përkushtuar nga komunitetet lokale, aktivistët mjedisorë dhe shkencëtarët për të mbrojtur përgjithmonë lumin Vjosa dhe degët e tij, sot qeveria shqiptare ndërmori hapin historik për të nënshkruar një marrëveshje për krijimin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës. Parku Kombëtar do të mbrojë të gjithë rrjetin e Vjosës nga kufiri me Greqinë deri në detin Adriatik, duke përfshirë degët me rrjedhje të lirë. Kjo është diçka që nuk është bërë kurrë më parë në Evropë.

Mëngjesin e sotëm në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe CEO i Patagonia Ryan Gellert iu bashkuan organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare nga koalicioni “Save the Blue Heart of Europe” në një ceremoni për të shënuar nënshkrimin publik të një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet Patagonias dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Ky është një hap i rëndësishëm më afër mbrojtjes së lumit të fundit të madh e të egër të Evropës.

Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet dy palëve përfshin marrëveshjet:

  • Palët do të punojnë për të rritur mbrojtjen e lumit Vjosa në nivelin e Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) Kategoria II: Park Kombëtar.
  • Parku Kombëtar do të përfshijë lumin Vjosa dhe degët e tij me rrjedhje të lirë, si Shushica, Bënça dhe Drino.

Sipas memorandumit, palët nënshkruese do të krijojnë një grup pune brenda 30 ditëve për të filluar planifikimin për ngritjen e parkut kombëtar. Parku do të përfshijë qendra vizitorësh, roje dhe programe shkencore dhe edukuese dhe do të japë mundësi të reja ekonomike për komunitetet lokale. Ky veprim i ri i ndërmarrë nga qeveria shqiptare do të shërbejë edhe si model për shumë lumenj të tjerë në rajon; duke përfshirë, pjesën greke të Vjosës (Aoos).

Besjana Guri, Menaxhere e Komunikimit, EcoAlbania shprehet: “Ndërsa ka shumë punë për të bërë përpara se të garantojmë të ardhmen e Vjosës, ky është një moment historik i madh për Shqipërinë dhe për mbrojtësit e lumenjve kudo. Ambicia për të krijuar Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë është një hap më afër për t’u bërë realitet.”

Ulrich Eichelmann, CEO i Riverwatch shton: “Mesazhi që vjen sot nga Tirana ka potencialin të shtrihet shumë përtej Vjosës – koncepti i një Parku Kombëtar të Lumit të Egër që mbron jo vetëm rrjedhën  kryesore lumore, por edhe degët e tij, është unik. Në Vjosë jemi dëshmitarë të një modeli të ri mbrojtjeje për lumenjtë e tjerë në Europë, të cilët kërcënohen nga projektet e digave dhe forma të tjera presioni. Ne duhet të mendojmë më shumë për të mbrojtur natyrën tonë.”

Gabriel Schwaderer, Drejtor Ekzekutiv i EuroNatur shprehet: “Bashkimi Evropian i ka vendosur vetes synimin për të mbrojtur të gjithë lumenjtë me rrjedhje të lirë në BE në kuadër të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane. Shqipëria po jep një shembull të mirë duke vendosur të mbrojë Vjosën dhe degët e saj si park kombëtar. Ne u bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE-së të mbrojnë lumenjtë me rrjedhë të lirë dhe të rrisin lidhjen e ekosistemeve lumore përmes restaurimit.

“Ryan Gellert, CEO, Patagonia thotë: “Sot udhëheqësit e Shqipërisë kanë treguar vizionin dhe përkushtimin, duke i treguar botës synimin e tyre për të bërë diçka të paprecedentë në mbrojtjen e natyrës. Nëpërmjet partneritetit tonë të gjatë me organziatat që qëndrojnë pas fushatës “Save the Blue Heart of Europe”, ne kemi mësuar nga afër se sa e jashtëzakonshme është Vjosa, dhe për këtë arsye jemi përulur për të punuar së bashku me qeverinë dhe grupet e interesit, duke ia kushtuar aftësitë dhe ekspertizën tonë krijimit të Parkut Kombëtar të lumit të egër Vjosa”.

Me historinë e gjatë të Patagonias në mbrojtjen e vendeve të egra dhe me angazhimin e qeverisë shqiptare për të bërë diçka vërtet me ndikim, anëtarët e fushatës “Save the Blue Heart of Europe”, si EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur, do të përfshihen aktivisht në udhëtimin përpara, për të bërë Parkun e parë Kombëtar të një lumi të egër në Evropë një realitet. Me hapa zyrtarë dhe konkret, kjo pikë e pashembullt e biodiversitetit do të krijojë një precedent për mbrojtjen e natyrës në Evropë.