Protestë kundër HEC-it në Vjosë Aktivistët: Moratorium 3 vjeçar

Veprimtarë të mjedisit po kundërshtojnë në Shqipëri projektet për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosa dhe degët e tij. Ata kërkuan anulimin e këtyre projekteve, shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar dhe një Moratorium 3-vjeçar për ndërtimet mbi lumenjtë e Shqipërisë.

Grupimet shoqërore “Miqtë e Vjosës”, “Të mbrojmë lumenjtë” dhe veprimtarë të mjedisit po përpiqen të pengojnë planet për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin e Vjosës. Duke kundërshtuar vendimin e qeverisë për dhënien e koncesionit të hidrocentralit te Poçemit mbi lumin Vjosë.

Autoritetet shpallën dhënien me koncesion 35 vjeçar për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në rrjedhën e poshtme të lumit Vjosa. Ndërkohë një vit më parë qeveria miratoi kërkesën e një kompanie turke për ndërtimin e këtij projekti.

Gjatë protestës në Tiranë. (c) EcoAlbania


Veprimtarët kërkojnë anulimin e të gjitha koncesioneve e hidrocentraleve që janë dhënë apo po jepen për t’u ndërtuar mbi lumin Vjosa dhe degët e tij, shpalljen e luginës se Vjosës Park Kombëtar. I cili do të ishte parku i pare i një lumi natyror në Evropë dhe do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të të gjithë luginës.

Banorët e luginës së Vjosës i kërkuan qeverisë një vit më parë ta shpallë Park Kombëtar dhe për këtë morën premtime pozitive nga qeveria Rama. Vendimi për të ndërtuar një hidrocentral në Poçem, pohojnë ata, është arbitrar dhe shpërfill mesazhet e BE-së, sepse Vjosa është quajtur ndryshe edhe “Zemrën blu e Evropës”.

Ndërtimi i HEC-it në Poçem do t’i jepte fund vizionit për parkun e parë Kombëtar të një lumi të egër në Evropë dhe do të minonte zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e gjithë luginës së Vjosës. Komunitetet vendore dhe veprimtarë vendas e të huaj po kërkojnë prej 5 vjetësh ndalimin e ndërtimit të HEC-eve në luginën e Vjosës.

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë në maj 2015, ku i kërkon Qeverisë Shqiptare të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve në gjithë zonat e mbrojtura dhe në mënyrë të veçantë në Lumin Vjosa dhe degët e tij, pasi kjo dëmton lumin e fundit të paprekur dhe natyror në Evropë.

Hidrocentrali i Poçemit, është një nga 8 HEC-et e planifikuara në Vjosë nga qeveritë e mëparshme. Ndërtimi i HEC-eve në Poçem dhe Kalivaç si dhe në degët e Vjosës si Lengaricë, Bënça, Shushica, Kardhiqi, Picari etj, do t’i jepte fund vizionit për këtë Park Kombëtar lumor.

Artikullin e plotë e gjeni të publikuar nga Shqiptarja.com, Report.tv, Top Channel dhe Zëri Amerikës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *