Prezantohet studimi: Menaxhimi i informacionit mjedisor në Shqipëri

Tiranë, 13 Nëntor 2018. EcoAlbania organizoi takimin e hapur me temë “Rëndësia e përcjelljes së informacionit mjedisor për një qytetari aktive” gjatë të cilit prezantoi studimin “Menaxhimi i Informacionit mjedisor në Shqipëri”. Të pranishmit, OShC mjedisore, gazetarë, studentë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, etj. u njohën me analizën e kuadrit ligjor dhe të menaxhimit të informacionit mjedisor në nivel vendor e kombëtar, bazuar në informacionin e gjeneruar nga Raporti i Gjendjes së Mjedisit i Shqipërisë (RGjMSh).

Aksesi në informacionin mjedisor vijon të jetë problematik për shkak mungesës së përditësimit, qartësisë së informacionit, transparencës dhe koordinimit mes institucioneve në nivel qendror dhe vendor. Vlerësimi i situatës lidhur me monitorimin dhe menaxhimin e tij është i nevojshëm në kuadër të përfshirjes më të madhe dhe shpërndarjes më të lehtë tek qytetarët. Kjo ka qenë edhe arsyeja e kryerjes së një studimi të tillë nga EcoAlbania dhe REC Shqipëri.

Duke folur mbi rëndësinë dhe nevojën e këtij studimi Z. Mihallaq Qirjo, drejtor i REC Shqipëri u shpreh se Ministria e Mjedisit duhet të ndërgjegjësohet lidhur me rritjen e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrjen mjedisore, duke shtuar se kjo gjë nuk mund të bëhet pa akses në informacion mjedisor të thjeshtë e të përditësuar.

Gjatë prezantimit të studimit “Menaxhimi i informacionit mjedisor në Shqipëri”. (c) I. Prift/ EcoAlbania

Grupi i ekspertëve të angazhuar në studim, i përbërë nga eskpertë ligjorë, të mjedisit dhe të komunikimit prezantoi rekomandimet për institucionet qendrore, vendore dhe organizatat e shoqërisë civile në drejtim të përmirësimit të menaxhimit të informacionit mjedisor. Disa nga rekomandimet që u ndanë me të pranishmit ishin:


1.Të unifikohen metodologjitë e përdorura për monitorimin e çdo parametri mjedisor, me atë të BE-së dhe të realizohet rishikimi i vazhdueshëm i tyre.
2.Të konsiderohet prioritet ngritja e sistemeve të informacionit mjedisor, të cilat analizojnë dhe përpunojnë të dhënat e monitorimit, duke krijuar “informacion”, që do të përdoret për t`u raportuar, tek “përdoruesit finalë”, të tillë si politikëbërësit dhe publiku.
3.Të forcohet bashkëpunimi ndërinstitucional për ndarjen e të dhënave dhe informacionit mjedisor të nevojshëm për RGJM-në dhe e kontributit të aktorëve lokale dhe privatë në hartimin e RGJMSh.
4.Për përcjelljen e informacionit të gjeneruar nga RGjMSh drejt publikut duhet të hartohet një strategji e mirëfilltë komunikimi.
5.Demokratizimi i burimeve në monitorimin dhe manaxhimin e informacionit mjedisor është shumë i rëndësishëm. Për këtë arsye duhet konsideruar ngritja e strukturave të monitorimit dhe platformave të grumbullimit të të dhënave që vijnë nga qytetarët.

Këto rekomandime i adresohen kryesisht Angjecisë Kombëtare të Mjedisit për të përmirësuar procesin e monitorimit të gjendjes së mjedisit dhe thjeshtëzimit të informacionit mjedisor për publikun. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk iu përgjigjën ftesës së EcoAlbania-s për praninë në tryezën e diskutimit lidhur me studimin dhe rekomandimet e dala prej tij. Megjithatë organizatat e angazhuara në studim do të synojnë në vijim prezantimin e studimit pranë AKM-së.

Ky takim u organizua në kuadër të projektit “Informacioni mjedisor për një qytetari aktive” dhe
mundësohet financiarisht nga Ambasada Suedeze nëpërmjet programit SENIOR III i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit – REC Shqipëri.