Elbasan, 20 prill 2023. Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve vendore të qarkut Korçë, Berat dhe Elbasan, u bënë pjesë e takimit prezantues të nismës së fundit të EcoAlbania për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të korridorit ekologjik “Polis-Valamarë-Rungajë-Moravë-Gramoz” – një korridor me rëndësi që lidh pesë zona të mbrojtura në juglindje të Shqipërisë.
Ky takim shënon edhe nisjen e zbatimit të një sërë aktivitetesh të planifukaura në kuadër të projektit “Menaxhimi i qëndrueshëm i korridoreve ekologjik në zonën e Polis-Valamarë-Rungaje-Moravë-Gramoz” dhe synon të nxisë bashkëpunimin mes aktorëve lokal të korridorit ekologjik. ” Ndërsa theksi i këtij takimi u vendos mbi rëndësinë e korridorit dhe nevojën për menaxhimin e tij të qëndrueshëm për të mbështetur konservimin natyror afatgjatë dhe për të plotësuar detyrimet ligjore si pjesë e dispozitave të Konventës për Mbrojtjen e Biodiversitetit, ligjit për “Zonat e mbrojtura” dhe ligjit për “Mbrojtjen e biodiversitetit”.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga disa organizata, duke përfshirë bashkitë Librazhd, Prrenjas, Gramsh, Maliq, Skrapar, Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura Berat dhe Elbasan, Prefekti i Qarkut Berat, Elbasan dhe Korçë, OSHC, akademikë, ekspertët të fushës së mjedisit, donatorët dhe organizatorë.
Diskutimet e pjesëmarrësve u fokusuan në tema të ndryshme, duke përfshirë prezantimin e konceptit të infrastrukturës së gjelbër si një koncept ligjor i rregulluar nga ligji, nevojën për ndryshime ligjore për të mbështetur konceptin e korridorit ekologjik, dhe kompleksitetin e përcaktimit të korridoreve ekologjike dhe integrimin e tyre në kuadër ligjor. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu rëndësinë e identifikimit të praktikave të qëndrueshme dhe promovimit të tyre brenda korridoreve ekologjike, nevojën për më shumë lobim dhe advokim për të përfshirë korridoret ekologjike si një koncept ligjor.
Qëllimi i këtij projekti është të adresojë humbjen e biodiversitetit dhe konektivitetin si pasojë e fragmentimit dhe praktikave jo të qëndrueshme në planifikimin dhe zhvillimin e territorit, duke u fokusuar në qeverisjen e qëndrueshme dhe rritjen e ndërgjegjësimit në korridoret ekologjike. Projekti synon të nisë zhvillimin e një Plani Veprimi për korridorin ekologjik, të krijojë një partneritet strategjik midis menaxherëve të zonave të mbrojtura dhe bashkive, të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e korridoreve ekologjike përmes aktiviteteve të edukimit, të zhvillojë një strategji komunikimi për të prezantuar më mirë vlerat natyrore dhe vizionin e menaxhimit territorial, si dhe të kryejë një vlerësim bazë të korridorit ekologjik në lidhje me zhvillimin rural, mjedisin dhe planifikimin territorial, potencialin ekoturistik dhe zhvillimin e agroturizmit.
Kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm drejt promovimit të korridoreve ekologjike, si një qasje që siguron konservimin natyror në terma afatgjatë. Gjithashtu suksesi i këtij projekti mund të shërbejë si shembull për nisma të tjera që synojnë ruajtjen e biodiversitetit dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Mbi korridorin ekologik:
Korridori ekologjik “Polis-Valamare-Rungajë-Moravë-Gramoz” ndodhet në juglindje të Shqipërisë dhe përfaqëson një zonë të largët malore që prek pjesërisht territorin e bashkive Librazhd, Përrenjas, Pogradec, Gramsh, Maliq dhe Skrapar me një sipërfaqe prej rreth 1600 km2. Korridori ofron një strehë të rëndësishme për një numër të madh specieve, duke lejuar lëvizjen e tyre midis zonave të mbrojtura. Zona e projektit është veçanërisht e rëndësishme për të mbështetur popullatat e gjitarëve të mëdhenjë, duke përfshirë ariun, ujkun dhe rrëqebullin e Ballkanit lloj I kërcënuar në zhdukje.
Megjithatë, korridori është i rrezikuar në mënyrë të konsiderueshme nga fragmentimi i habitateve si pasojë e prerjeve të pyjeve, zjarreve, urbanizimit, praktikave jo të qëndrueshme kryesisht në bujqësi dhe menaxhimit të dobët të burimeve natyrore, duke rrezikuar integritetin e përgjithshëm të ekosistemeve, biodiversitetin dhe konektivitetin e tij. Megjithëse pjesa më e madhe e korridorit është përjashtuar nga rrjeti i zonave të mbrojtura, ai mbetet një zonë e rëndësishme që lejon lëvizjen e specieve të rëndësishme, veçanërisht atyre që kërkojnë një habitat të gjerë.
Korridori ekologjik “Polis-Valamare-Rungajë-Moravë-Gramoz” adreson konektivitetin midis pesë zonave të mbrojtura: Parku Kombëtar Shebenik, Parku Natyror Stravaj-Sopot, Peizazhi i Mbrojtur i Liqenit të Pogradecit, Guri I Nikes – Lenie-Valamare dhe Parku Kombëtar Mali i Tomorrit.