++Shkatërrimi i lumit Vjosa për qëllime hidro-energjitike nuk është i nevojshëm. Projekti propozon alternativa të tjera miqësore me mjedisin++
Tiranë, 27 maj 2020. Instalim i paneleve diellore për plotësimin e nevojave energjetike për të gjithë Kutën, si një formë për të ndalur ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosë. Ky është qëllimi i fushatës për mbledhjen e fondeve të nisur nga EcoAlbania, EuroNatur dhe RiverWatch, që synon furnizimin e të gjithë fshatit me energji të prodhuar nga dielli. Kjo nismë vjen në një kohë kur nevoja për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë në vend është më e nevojshme se kurrë, ndërsa lumi i fundit i egër në Evropë rrezikon të humbasë vlerat e larta natyrore për shkak të HEC-eve të planifikuar për t’u ndërtuar.
Kuta është një nga zonat që do të preket më shumë nga ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit në luginën e Vjosës, ndërkohë që prej vitesh banorët e këtij fshati kanë shfaqur rezistencë për të kundërshtuar ndërtimin e hidrocentralit. Nëse ky HEC do të ndërtohej, Kuta do të vuante një situatë shkatërruese ekonomike, për shkak të përmbytjes së mbi 2.500 ha tokë bujqësore, çfarë do të shkaktonte edhe shpërnguljen e banorëve.
Por teksa, komuniteti i Kutës po lufton për të shpëtuar shtëpitë, lumin dhe tokën që përbën bazën e jetesës së tyre të përditshme, kjo iniciativë shton kërkesën ndaj qeverisë shqiptare për të shfrytëzuar potencialin e lartë diellor që ka vendi ynë për prodhimin e energjisë elektrike.
“Shqipëria është në një udhëkryq. Në shekullin XXI kemi shansin të shmangim gabimet e së kaluarës. Energjia diellore është një mundësi për të gjeneruar energji elektrike me shumë më pak ndikim në natyrën dhe njerëzit sesa dëmtimi i lumenjve. Por, si mundet që një vend me diell si Shqipëria, ende synon të ndjekë rrugën e vjetër dhe të pistë të shkatërrimit të natyrës për të prodhuar energji, duke injoruar opsionet moderne?! Kjo iniciativë diellore jo vetëm që i sjell dobi njerëzve në Kutë, në luginën e Vjosës, por është edhe një mesazh i fortë për vendimmarrësit politikë: çfarë është e mundur në Kutë, është e mundur në të gjithë Shqipërinë dhe në të gjithë Ballkanin “- Ulrich Eichelmann, Drejtor Ekzekutiv i Riverwatch.
Në këto kushte, EcoAlbania dhe parnerët ndërkombëtarë po kërkojnë mbështetje për të sjellë një burim të pastër dhe të qëndrueshëm të energjisë në fshatin Kutë dhe njëkohësisht për të mbrojtur lumin Vjosa nga hidrocentralet.
Fushata do të jetë e hapur për 30 ditë, në platformën Go Fund Me dhe websitin e EcoAlbania