Mbrojtja e një lumi nuk mbështetet vetëm në statusin e tij ligjor, por edhe në angazhimin e njerëzve që jetojnë pranë tij dhe e njohin nga afër.
Në kuadër të projektit Vjosa–Aoós 2.0, EcoAlbania zhvilloi një trajnim me përfaqësues të komuniteteve lokale, të cilët do të angazhohen si River Guardians (Kujdestarët e Lumit), duke kontribuar në monitorimin e kërcënimeve mjedisore në pellgun lumor të Vjosës.
Trajnimi u përqendrua në marrjen dhe devijimin e ujit nga lumenjtë, ndikimin e këtyre ndërhyrjeve në ekosistemet ujore, si dhe rëndësinë e ruajtjes së prurjeve ekologjike për funksionimin natyror të lumit.
Pjesëmarrësit u njohën me metodologjinë e monitorimit, mënyrat e mbledhjes dhe dokumentimit të të dhënave në terren, si dhe rëndësinë e informacionit të mbledhur për vlerësimin e gjendjes së lumit dhe identifikimin e kërcënimeve.
Përmes kësaj nisme, EcoAlbania synon të forcojë rolin e komuniteteve lokale në mbrojtjen dhe monitorimin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa. Njohuritë e banorëve për territorin, të kombinuara me një metodologji të strukturuar monitorimi, përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në identifikimin e problematikave mjedisore dhe në adresimin e tyre pranë institucioneve përgjegjëse.
Trajnimi shënon hapin e parë drejt angazhimit të Kujdestarëve të Lumit në monitorimin sistematik në terren, rezultatet e të cilit do të kontribuojnë në krijimin e një baze të dhënash mbi kërcënimet ndaj Vjosës dhe degëve të saj.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit Vjosa–Aoós 2.0, në bashkëpunim me EuroNatur dhe MedINA, me mbështetjen financiare të Donors’ Initiative for Mediterranean Freshwater Ecosystems (DIMFE).
