Java shkencore e Vjosës 2023: Vlerësimi i deltës së parkut kombëtar të lumit të egër Vjosa

++ Grupi i shkencëtarëve nga Shqipëria dhe Austria vlerësojnë deltën e lumit Vjosa ++ Të dhënat do të evidentojnë vlerat e deltës në funksion të përfshirjes së saj në parkun kombëtar të Vjosës++

Nartë, Vlorë, 24-28 Prill 2023. Një ekip ndërdisiplinor shkencëtarësh vendas dhe ndërkombëtarë, nga Shqipëria dhe Austria, me fusha të ndryshme kërkimi, vlerësuan biodiversitetin, gjeologjinë dhe kushtet fiziko-kimike të lumit Vjosë dhe deltës, duke synuar për të nxjerrë në pah vlerat natyrore të deltës. Kërkimi në terren vazhdoi për një javë me shkencëtarë dhe ekspertë të institucioneve publike, si Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), Agjencia Rajonale e Mjedisit Fier (ARM Fier), Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë dhe Fier (AdZM Vlorë).

Profesor Aleko Miho nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, UT, një nga organizatorët kryesorë të Javës së Shkencës Vjosa thotë: “Qëllimi i Javës Shkencore këtë muaj ishte njohja me gjendjen sot, mbledhja e të dhënave për biodiversitetin, hidrogjeologjinë, gjeografinë etj. Të dhënat do të shkruhen së shpejti në një Përmbledhje me karakter shkencor-popullor, në dy gjuhë (shqip dhe anglisht). Përveç kontributit shkencor mbi vlerat natyrore, do të jepen dhe gjykime mbi shkallën e ndjeshmërisë dhe kërcënimin e tyre, kjo në ndihmë të vendimmarrjes, politikëbërjes, investitorëve, dhe palëve të tjera të interesuara të zonës.

“Java shkencore në Deltën e Vjosës konfirmoi pasurinë e saj të jashtëzakonshme në diversitet biologjik, e shprehur në numrin e lartë të habitateve dhe specieve bimore dhe shtazore që ajo strehon, përfshirë ketu specie endemike, si bretkosa shqiptare (Pelophylax shqipericus), lloje të mbrojtura nga konventat ndërkombetare si lunderza (Lutra lutra), specie migratore të shpendëve ujore si Plegadis falcinellus, Calidris ferruginea, Larus genei,  apo shpendë folezues ujorë si, Sterna hirundo, Sterna albifrons, Himantopus himantopus, Hematopus ostralegus, Recurvirostra avosetta, Tadorna tadorna, Burhinus oedicnemus, etj. Edhe pse është sezon riprodhimi për pelikanin kacurel (Pelecanus crispus) dhe pjesa me e madhe e tyre ështe në këtë periudhe të vitit në lagunën e Karavastasë, delta e Vjosës dhe Narta mbajnë gjithmonë një pjesë të individeve jo riprodhues të këtij lloji emblematik për vendin tonë. “Delta e Vjosës, kriporja dhe laguna e Nartës mbajnë popullatën më të madhe të flamingove (Phoenicopterus roseus) në vendin tonë, me mbi 2000 individë. Habitatet e shumta natyrore dhe gjysëmnatyrore të deltës së Vjosës shërbejnë si vende të rëndësishme të ushqyeri për 13 lloje lakuriqesh natë, që të gjithë llojë të mbrojtur nga Konventa e Bernës”, thotë profesor Ferdinand Bego, Zv.dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, UT.

Shkencëtarët mbuluan pjesët më të rëndësishme të deltës së lumit Vjosa, duke përfshirë: Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë, Urën e Mifolit, Lumin e vdekur, Dellinjën, Lagunën e Kallengës, Darzezën, “Pyllin e sodës” dhe ishullin e Zvërnecit.

 “Mendimi ynë është që hapësira e Deltës së Vjosës nga Darëzeza (Fier) deri në Lagunën e Nartës (Vlorë) duhet të lihet e lirë, e pa prekur nga projektet ndërtimore. Madje është çasti i duhur që një pjesë e mirë e Peisazhit të Mbrojtur Pishe Poro – Nartë të bëhet pjesë e PK të Lumit Vjosë me të cilin përbëjnë një unitet hidrodinamik dhe ekologjik dhe të pandarë” shton Prof. Miho.

“Kjo javë padyshim konfirmoi dinamiken e lartë natyrore të Deltës së Vjosës, e cila në 100-200 vitet e fundit e ka ndryshuar disa herë pozicionin e saj, një e dhenë kjo me mjaft interes për t’u marrë në konsideratë nga vendim-marresit dhe politikë-bëresit për të ardhmen e turizmit në këtë deltë, ku ekoturizmi apo turizmi me baze-natyrën mbeten të vetmet alternativa të qëndrueshme zhvillimi në këtë hapesirë deltike mjaft dinamike dhe të paqëndrueshme”, Prof. Bego shton.

Java e shkencës e Vjosës është kthyer tashmë në një traditë, duke mbledhur grupe të ndryshme ekspertësh që kryejnë kërkime ndërdisiplinore në të gjithë pellgun e Vjosës. Këtë vit fokusi ishte gryka dhe delta e lumit Vjosë.