09-14 Maj 2022, lugina e Vjosës. Rreth 40 ekspertë dhe studentë u bënë pjesë e Javës së Parë Shkencore të Vjosës në kuadër të projektit ESPID4Vjosa për vitin 2022 ku vazhduan kërkimet në stacionet e monitorimit përgjatë luginës së Vjosës. Grupi i ekspertëve përbëhej nga profesorë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universitetit Bujqësor të Tiranës, Universitetit të Gjirokastrës ‘Eqrem Çabej’.
Ekspertët ishin pjesë e grupeve të interesit të identifikuar nga Projekti ESPID4Vjosa si: institucionet kërkimore dhe institucionet vendimmarrëse si: Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), Zyra e Administrimit të Baseneve Ujore Ishmi&Erzeni&Mati (ZABU), Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura (RAPA), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM). Bashkëpunimi me institucionet synon të shkëmbejë më shumë informacion në lidhje me marrjen e mostrave biologjike dhe fiziko-kimike dhe të kontribuojë në zgjerimin e njohurive. Kjo do të ndihmojë në forcimin e përpjekjeve të menaxhimit të qëndrueshëm në pellgun e lumit Vjosë.
Stacionet e kampionimit u përzgjodhën nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës në mënyrë që të përfaqësonin sa më shumë tipologjitë dhe habitatet e ndryshme lumore të lidhura me karakteristikat e substratit, sedimentit dhe karakteristikat fiziko-kimike të ujit.
Mostrat të marra nga ekspertët do të përpunohen në laboratorin e Biologjisë së Mjedisit, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe mostrat fiziko-kimike do të përpunohen në laboratorin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Java e Parë Shkencore e Vjosës synoi gjithashtu të forcojë kapacitetet e stafit të institucioneve që morën pjesë. Ata u trajnuan për metodat e ndryshme të monitorimit dhe marrjes së mostrave që janë të rëndësishme në vlerësimin e biodiversitetit të lumenjve. Kjo do të ndihmojë në forcimin e përpjekjeve të menaxhimit në pellgun e lumit Vjosë.
Vizita kërkimore ishte një mundësi e mirë për studentët si ekspertë të ardhshëm të mjedisit. Ata gjithashtu u trajnuan dhe morën njohuri për metodat e ndryshme të monitorimit dhe kampionimit. Ekspertët nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës theksuan rëndësinë e të dhënave të biodiversitetit dhe cilësisë së ujit në lumin Vjosë dhe degët e tij të rëndësishme si parakusht për mbrojtjen e tyre duke u përpjekur për të ndërgjegjësuar brezin e ardhshëm.
Të dhënat e mbledhura do të vihen në shërbim të draft Planit të Menaxhimit të Basenit të Lumit Vjosa për të dhënë një përshkrim të plotë të parametrave të ujit dhe biodiversitetit.
Java e parë Shkencore e Vjosës u organizua në bashkëpunim të dy projekteve, VjoSusDev dhe ESPID4Vjosa. Projekti ESPID4Vjosa zbatohet nga EcoAlbania dhe EuroNatur, ndërsa projekti VjoSusDev zbatohet nga 6 universitete (3 shqiptare dhe 3 austriake) me lider Universitetin e Tiranës.