Të drejtat e njeriut na janë diktuar që në shkollën fillore ku shumë prej nesh i kanë lexuar çdo ditë bashkë me klasën, por rralleherë i kemi lidhur ato me të drejtën për të pasur energji elektrike. Ndaj do të analizojme shumë koncepte dhe çështje duke nisur nga varfëria energjetike, për të parë nëse e drejta për të pasur energji elektrike bën pjesë tek të drejtat bazike dhe ku qëndron ajo midis të drejtës për qytetarët dhe përgjegjësisë së qeverisë.
Kushtet që paracaktojnë nëse jemi ose jo në varfëri energjetike janë: efiçenca e energjisë në ndërtesa, kostoja e energjisë dhe të ardhurat familjare. E thënë ndryshe në momentin që një person/familje nuk është në gjëndje të sigurojë energjinë e nevojshme në banesë me një çmim të përballueshëm kemi të bëjmë me një varferi energjetike.
“Varfëria energjetike është situata në të cilën një familje nuk mundet të aksesojë shërbimet energjetike në një nivel të atillë që mund të përballojë nevojat e saj sociale dhe materiale”. Ndërsa, faktorët që rrezikojnë familjet të kalojnë në varfëri energjetike janë:
- Rritja e çmimit të energjisë elektrike është më e lartë në krahasim me rritjen e të ardhurave
- Pamundësia për të siguruar energji me çmim të ulët
- Nevojat në rritje të familjeve për energji
- Mungesa e efiçencës në përdorimin e energjisë
- Ndërhyrjet e politikave
Kur flasim për sigurimin e energjisë së nevojshme kemi të bëjmë me plotesimin e një sërë të drejtave bazike si: e drejta për një nivel jetese të mjaftueshëm i cili t’i përgjigjet shëndetit dhe jetës së përshtatshmeNeni 25 duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjeksor dhe shërbimet e nevojshme sociale; gjithkush ka të drejtën e shkollimit. Këtu duhet marrë parasysh që shkollimi bëhen online (rasti i pandemise) ose realizimi i detyrave me anë të mjeteve elektronike dhe internetit.
Sipas studimit të realizuar nga EcoAlbania në vitin 2018 në tiranë mbi 45% e familjeve të anketuara përdorin energjinë elektrike si mënyren e vetme për të gatuar, 69% e tyre përdorin energjinë elektrike për të siguruar ujë në shtepitë e tyre me ane të pompimit, 68% përdorin energjinë elektrike për të ngrohur shtëpinë, 62% per ta ftohur ate gjatë stinës së verës dhe 95% e familjeve përdorin energjinë elektrike për të ngrohur ujin. Me pak fjalë në kushtet e varfërisë energjetike shumë familje nuk do të siguronin plotësimin e këtyre nevojave basike. Përpos çka folëm më lartë vlen të përmendet fakti që nevojat e familjeve për përdorimin e energjisë rriten gjithnjë e më shumë, e drejta për të aksesuar informacion sigurohet nëpërmjetë pasjes së një pajisje elektronike, internetit, televizorit etj. Te gjitha keto përbëjnë një gamë të gjerë të drejtash që sigurohen me anë të energjisë elektrike. Kjo e drejtë është shumë e rëndësishme edhe për qeveritë e Kombeve të Bashkuara.
Ne objektivat e kombeve të bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm te lancuara si plan veprimi në 2015 për tu realizuar deri në 2030, si objektiv i 7 qëndron sigurimi i energjisë së përballueshme dhe të pastër. Sigurimi për të aksesuar energji të përballueshme, të besueshme, të qëndrueshme dhe moderne për të gjithë. E përkthyer ndryshe në 5 komponentë matës:
- E DISPONUESHME për të gjithë, në sasi të mjaftueshme.
- E AKSESUESHME për të gjithë, duke nënkuptuar katër nën-komponentë: të aksesueshëm gjeografikisht, ekonomikisht, pa diskriminim dhe të kesh akses në informacion.
- E PRANUESHME për të gjithë, që do të thotë se mbështet një gamë të gjerë nevojash të përgjithshme (p.sh. kulturore, klimatike, etj.) duke njohur gjithashtu nevoja fizike më specifike (p.sh. për gratë shtatzëna).
- ME CILËSI të mjaftueshme për të gjithë, domethënë mjaftueshëm i besueshëm, i sigurt, etj.
- E QËNDRUESHME për të gjithë, gjithnjë e më shumë ky aspekt po përfshihet
Një nga arsyet pse Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) dhe Axhenda 2030 janë një kuadër zhvillimor transformues është se ato bazohen në të drejtat e njeriut4. Shqipëria si anëtare e OKB është angazhuar në agendën e 2030 me suportin e UNDP për të arritur objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Për arsyet e renditura më lart mund të themi se energjia elektrike është një e drejtë bazike, e cila duhet ti garantohet çdokujt, të jetë e aksesueshme gjeografikisht dhe ekonomikisht. Nga një studim i realizuar në vitin 2018 rezultoi se 42% e familjeve kanë vështirësi në pagesën e faturës së energjisë elektrike. Ndërkohë që shumë zona malore gjatë periudhës se dimrit kanë ndërprerje të energjisë elektrike duke kushtëzuar kështu jo vetem familjet por edhe bizneset turistike. (rasti i Valbonës) Ndaj themi se puna e Shqipërisë për të garantuar energji elektrike të pastër dhe të qendrueshme është ende e madhe ndaj duhen bërë hapa përpara. Veçanërisht për të parë zgjidhje alternative për të siguruar energji siç është me anë të paneleve diellore dhe jo Hidroçentraleve.