Ekspertët kombëtar dhe ndërkombëtar letër të hapur për ruajtjen e Deltës së Vjosës

++Simpoziumi ndërkombëtar për Deltën e Vjosës bën bashkë 60 ekpsertë në Vlorë++

Vlorë, 27-28 Tetor 2023. Përfaqësues të institucioneve akademike, vendim-marrëseve dhe organizatave mjedisore u mblodhën në Sipoziumin Shkencor Ndërkombëtar kushtuar Deltës së Vjosës. Ekspertët prezantuan të dhëna shkencore mbi vlerat e biodiversitetit dhe sedimentologjisë së Deltës së Vjosës, me qëllim ndërgjegjësimin e vendim marrësve mbi rëndësinë e ruajtejs së kësaj pjese të rëndësishme të luginës së lumit Vjosa, i shpallur së fundmi Park Kombëtar i lumit të Egër.

Ekpsertët nënshkruan një letër të hapur, drejtuar Kryeministrit, institucioneve përgjegjëse dhe palëve të interesuara, ku parashtruan 3 kërkesa kryesore:

  • Një studim ndërdisiplinor të Deltës së Vjosës me fokus ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të saj, mbështetur në prova shkencore.
  • Gjithë gjurma e Deltës së Vjosës të lihet e lirë, e paprekur nga turizmi masiv në shkallë të gjerë dhe të përdoret me mençuri për projekte të turizmit të mbështetur te natyra.
  • Është çasti i duhur që Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro – Nartë (kategoria V) të shpallet Park Kombëtar (kategoria II) si pjesë e pandashme e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës.

I drejtuar dhe organizaur nga nga Departamenti i Biologjisë i Universitetit të  Tiranës, aktiviteti dy ditor mblodhi 60 pjesëmarrës, ku mes tyre ishin të shumtë ekspertët nga bota akademike të cilët janë angazhuar në fushatën për mbrojtjen e Vjosës prej gati 10 vitesh. Simpoziumi u mbështet dhe bashkë-organizua me ekspertë të Universiteteve Politeknik, Bujqësor dhe POLIS, dhe ekspertë të huaj nga Universitetet e Salentos dhe Palermos, Itali, Vjenës dhe FLUVIUS, Austri, nga Akademia Sllovene e Shkencave, nga Universiteti i Thrakës, Greqi, etj. Ekipi i organizatave mjedisore të fushatës “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës”, ishte një nga bashkë-organizatorët gjithashtu, si një nga palët e interesuara për të rritur ndërgjegjësimin mbi vlerat e Deltës së Vjosës.

Prof. Aleko Miho, nga Fakulteti i Shkecave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, një prej figurave kryesore të grupit të shkencëtarëve për Vjosën, thekson “Ne gjithmonë kemi bindjen se të gjitha gjetjet shkencore, përpjekjet ose rekomandimet e ekspertëve janë të pavlefshme nëse vendimmarrja, dhe gjithë institucionet përgjegjëse në Tiranë dhe ato vendore nuk vijnë të dëgjojnë, pse jo dhe të shprehin mendimet e tyre. Për këtë, ftesa jonë u është dërguar në mënyrë të përsëritur gjithë institucioneve qeveritare përgjegjëse, madje edhe disa kolegëve të njohur që përfaqësojnë sot Komisionin e Mjedisit në Kuvendin e Shqipërisë, dhe atyre që kanë poste drejtuese në institucione të tjera qeveritare.”

Simpoziumi u pasua nga vizita në terren, në lagunën e Nartës, ku ekspertët pjesëmarrës patën mundësinë të ndanin eksperiencat dhe kënvështrimet e tyre me ekspertët ndërkombëtar. Ndër të tjera edhe të kundronin disa prej shpendëve dimurues në lagunën e Nartës, mes tyre shpendët e bukur të flamingove në habitatin e tyre, tashmë të rrezikuar.

Olsi Nika, drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania, tha: “Delta e Vjosës është një ekosistem shumë i rëndësishëm, pjesë e luginës së Vjosës, e cila është habitat i shumë specieve të rrezikuara dhe endemike. Proceset natyrore të patrazuara janë të rralla në Evropë dhe Delta e Vjosës shquhet si një nga deltat më të rëndësishme dhe më pak të cënuara në gjithë mesdheun, një vlerë kjo e shtuar për ruajtjen e natyrës në vendin tonë. Si e tillë duhet të gëzojë mbrojtje maksimale.