Efiçenca energjetike dhe nismat për qytetin e Tiranës

Tryezë diskutimi me përfaqësues të Bashkisë Tiranë, Këshillit Bashkiak dhe ekspertë të fushës.

U zhvillua më  1 dhjetor 2017 takimi me temë “Efiçenca energjetike në qytetin  e Tiranës” me përfaqësues të Bashkisë Tiranë, Këshillit Bashkiak, si dhe ekspertë të fushës. Pjesëmarrësit u njohën me të dhënat paraprake të studimit të realizuar nga EcoAlbania dhe Qendra EDEN mbi “varfërinë energjetike” dhe performancën e energjisë në qytetin e Tiranës, si dhe u bënë pjesë e diskutimit mbi mënyrat e interpretimit të këtyre të dhënave dhe hapave konkret që mund të ndërmerren për të adresuar problematikat e ngritura.

Gjatë fjalës përshëndetëse përfaqësues i REC Albania Rezart Kapedani si dhe Drejtori i EcoAlbania Olsi Nika. Foto: B.Guri/EcoAlbania
Gjatë fjalës përshëndetëse përfaqësues i REC Albania Rezart Kapedani si dhe Drejtori i EcoAlbania Olsi Nika. (c) B.Guri/EcoAlbania

Përfaqësues të Këshillit Bashkiak shprehën interesin për të marrë informacion më të detajuar mbi studimin si dhe u angazhuan për të ndërmarrë politika për lehtësimin e taksave të ndërtuesve që do të sjellin ndërtime më efiçente nga ana energjetike si dhe paraqitjen e problematikave të evidentuara nga studimi e më pas hapjen e diskutimeve me Bashkinë Tiranë në drejtim të përmirësimit të situatës.

Gjergji Simaku, Drejtor në Drejtorinë e Politikave dhe Strategjisë së Zhvillimit të Energjisë dhe Industrisë, pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, u ndal në hapat që do të ndërmerren nga qeverisja në nivel qendror për të arritur standardet për efiçencën e energjisë në sektorin e ndërtesave dhe transportit. Ai vuri theksin në krijimin e “Agjencisë për Efiçencën e Energjisë”, një departament i ri brenda kësaj ministrie.

Përmes përgatitjes së audituesëve të energjisë, qeverisja qendrore parashikon krijimin e një regjistri kombëtar mbi efiçencën energjetike në ndërtesa. “Pasi të kryhet auditimi i ndërtesave, këto të fundit do të pajisen me çeritifikatën e energjisë dhe do të pasqyrohen në këtë regjistër.” – u shpreh Z. Simaku.

Tryeza e diskutimit me temë “Efiçenca energjetike në qytetin e Tiranës” me përfaqësues të Bashkisë Tiranë, Këshillit Bashkiak, si dhe ekspertë të fushës. Foto: B.Guri/EcoAlbania
Tryeza e diskutimit me temë “Efiçenca energjetike në qytetin e Tiranës” me përfaqësues të Bashkisë Tiranë, Këshillit Bashkiak, si dhe ekspertë të fushës. (c) B.Guri/EcoAlbania

Nga ana tjetër, Z. Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike, u ndal në problematikat dhe vështirësitë e këtij procesi. “Fondet, vonesa në koordinimin dhe zbatimin e planeve kombëtare, vonesa në kooordinim për përdorimin e investimeve të huaja dhe mungesa e stafit të përgatitur për të punuar mbi këto tematika, janë disa nga vështirësitë që Shqipëria përballet në përmbushjen e objektivave kombëtare për efiçencën e energjisë.” – tha ai.

Abaz Hodo, Nën-kryetar i Bashkisë Tiranë, ndau me pjesëmarrësit iniciativat e ndërmarra nga bashkia për ndriçimin e gjithë territorit të qytetit të Tiranës me llamba efiçente LED si dhe nismën për transportin publik përmes autobusëve apo taksive elektrike.

Ky takim u organizua nga EcoAlbania në kuadër të projektit “Së bashku – një sy për mjedisin” dhe mundësohet financiarisht nga Ambasada Suedeze nëpërmjet programit SENiOR-II i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit – REC Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *