Në qarkun e Korçës, datat 11, 12 dhe 13 mars, një sërë aktivitetesh të përfshira në fushën e edukimit mjedisor u kryen në tre shkolla 9-vjeçare: “Kozma Gjoke Basho” në Pogradec, “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” në Korçë, dhe “2 Dëshmorët” në Pustec. Këto aktivitete u zbatuan në kuadër të një përpjekjeje të përbashkët për të ndërtuar një qasje inovative ndaj edukimit mjedisor dhe për të nxitur ndërgjegjësimin dhe pjesëmarrjen e nxënësve në ruajtjen e mjedisit.
Në datën 11.03.2024 në shkollën 9 vjeçare “Kozma Gjoke Basho” në Pogradec, u organizua një sesion teorik për kujdesin mjedisor dhe praktik ku u eksplorua përdorimi i erës si burim energjie për të aktivizuar mini-turbina të ndërtuara nga letra. Kjo përvojë e suksesshme ofroi një platformë unike për nxënësit për të kuptuar konceptet e energjisë së rinovueshme dhe për të vlerësuar ndikimin e tyre në mjedis.
Në datën 12.03.2024 në shkollën 9 vjeçare “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” në Korçë, aktiviteti i edukimit mjedisor u organizua në kuadër të “Ditës së Mbill një Lule”, për të ndërgjegjësuar nxënësit për rëndësinë e mbrojtjes së faunës dhe për të inkurajuar angazhimin e tyre në aktivitete që promovojnë kujdesin për natyrën. Nxënësit mbollën fara lulesh në vazo biologjikisht të degradueshme për t’i rimbjellë më pas në tokë. Pas mbjelljes së farave, nxënësit u inkurajuan të ndiqnin procesin e rritjes së luleve. Ky veprim promovon ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj mjedisit, por gjithashtu ofron njohuri praktike për të kuptuar procesin e rëndësishëm të kujdesit për bimësinë.
Ndërkaq, në datën 13.03.2024 në shkollën 9 vjeçare në Pustec, u zhvillua një diskutim thelbësor për të reflektuar mbi rëndësinë e kujdesit ndaj mjedisit dhe për të analizuar impaktin e veprimeve të njerëzve në natyrë. Pjesëmarrja aktive e nxënësve në këtë diskutim ndihmoi në zgjerimin e ndërgjegjësimit të tyre për rolin e tyre në ruajtjen e mjedisit. Udhëzuar nga specialistët e ADZM Korçë, u krijua një herbarium për të identifikuar dhe dokumentuar florën karakteristike të zonës së tyre, si dhe nxënësit krijuan dhe terrariume për të kuptuar funksionimin e një ekosistemi të vogël dhe rëndësinë e ruajtjes së tij.
Këto veprimtari, të zhvilluara në qarkun e Korçës, përshkruajnë një përpjekje të ndërmarrë për të përparuar ndërgjegjësimin dhe pjesëmarrjen e nxënësve në ruajtjen dhe kujdesin për mjedisin. Duke u fokusuar në fushën e edukimit mjedisor, u demonstrua një qasje inovativee përkushtuar për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme mjedisore në mënyrë të përhershme. Përmes sesioneve teorike, praktike dhe diskutimeve, u ofrua një platformë për nxënësit për të kuptuar thelbin dhe ndikimin e veprimeve të tyre në mjedis, si dhe për të zhvilluar aftësi konkrete në ruajtjen dhe kujdesin për natyrën.