Këlcyrë, 19 tetor 2023. Ekipi i edukimit mjedisor zhvilloi një sesion edukimi në Këlcyrë me nxënës të shkollës 9- vjeçare “Kamber Benja”. Fëmijët pjesëmarrës patën mundësinë të mësojnë më shumë mbi rëndësinë e ruajtjes së natyrës ku ata jetojnë, përmes zakoneve të mira mjedisore. E vendosur mes maleve të Trebeshinës dhe Dhëmbelit, Këlcyra është një vend me bukuri natyrore të pashoqe. Lumi Vjosë rrjedh përmes këtij peizazhi magjepsës, duke e bërë atë një panoramë tërheqëse për këdo.
Si vendas të një peisazhi piktoresk ata u informuan edhe mbi pasojat që sjell ndotja e njeriut mbi natyrën dhe si ta ruajnë me zakone të mira mjedisore. Me anë të një eksperimenti të thjeshtë mbi filtrimin e tokës ata arritën të kuptojnë efektet e ndotjes së ujit në cilësinë e tokës.
Mjetet për zhvillimin e këtij eksperimenti si shishe plastike, gurë, ujë dhe vaj, mund të gjendën lehtë dhe me disa hapa të thjeshtë çdokush mund ta zhvillojë.
Fëmijët të entuziazmuar e zhvilluan ekpserimentin: ku si fillim prenë një shishe në gjysëm dhe e kthyen përmbys. Më pas pasi i shpuan disa vrima në tapë, e mbushën me gurë dhe hodhëm ujë të përzier me vaj. Gjatë eksperimentin ata mundën të vërenin se si vaji qëndron nëpër gurë dhe uji i pastër kalon poshtë duke kuptuar në praktikë procesin e filtrimit të ujit.
Gjithashtu përmes një loje roleplay ata treguan aftësitë e tyre artistike në lojën e “Plehra-hedhësit” ku ata personifikonin personat që ndosin qëllimisht ambientin dhe shokët e klasës duhet ti gjenin. Zhvillimi i eksperimenteve dhe lojërave interaktive jo vetëm nxit ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, por gjithashtu inkurajon nxënësit të ndërmarin veprime konkrete.Këto aktivitete edukuese synojnë të zhvillojnë aftësinë e mendimit kritik duke nxitur nxënësit të analizojnë problemet mjedisore dhe të mendojnë zgjidhje inovative.
Edukimi mjedisor është një mision që nis që në moshë të hershme dhe ka ndikim në të gjithë brezat, me shpresën se fëmijët do të ndërgjegjësohen për të ndëmarrë hapa të vegjël në pëditshmërinë e tyre dhe do të përçojnë mesazhe të vlefshme edhe tek të rriturit që i rrethojnë.
Mësues apo drejtues shkolle dhe që kanë dëshirë të zhvillojmë orë edukimi mjedisor në shkollën e tyre, mund të bëhen pjesë e projektit të edukimit duke kontaktuar koordinatoren e projektit Marina Xhaho në adresën e-mailit: [email protected].
Projekti “Edukimi mjedisor në shkollat 9 vjeçare në Shqipëri”, synon të rrisë ndërgjegjësimin mjedisor nëpërmjet edukimit të të rinjve përmes aktiviteteve në të paktën 35 shkolla të vendit.