Dita ndërkombëtare e Pyjeve: Nis projekti për ripyllëzimin e luginës së Vjosës

Inagurohet fidanishtja e parë me bimë autoktone të zonës në Tepelenë

Tepelenë, 21 mars 2024. Në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve, u përurua në Tepelenë fidanishtja e parë me bimë autoktone në brigjet e Vjosës. Të entuziazmuar, organizatat partnere EcoAlbania dhe Riverwatch, si dhe institucionet e komuniteti i zones, me këtë aktivitet lajmëruan nisjen e projektit për ripyllëzimin e parkut kombëtar: ReForestVjosa. Ky projekt i mundësuar me mbështetjen bujare të Patagonias, synon të përmirësojë ekosistemin e Vjosës dhe të parandalojë erozionin bregor përgjatë brigjeve të saj.

Bazuar në studimet e shkencëtarëve austriakë dhe shqiptarë, në kuadër të projektit “ReForestVjosa” janë përcaktuar 10 zona kyçe për ripyllëzimin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa. Fidanishtja në Tepelenë, në një sipërfaqe prej përafërsisht 700 m², do të prodhojë 12,000 deri në 15,000 bimë të reja nga speciet autoktone në vitet 2024 dhe 2025, për tu mbjellur pas 2 vjetësh në përfaqet e përzgjedhura për ripyllëzim. Në vitin 2024 do të nisë ripyllëzimi në zonat e përmbytura të Tepelenës, duke mbjellur fidanë në pesë nga 10 zonat kryesore: Tepelenë, Hundëkuq, Kutë, Poçem, Banaj. Duke bërë të mundur krijimin e pyjeve të rinj me një sipërfaqe totale prej 12 hektarësh deri në vitin 2026.  

Për ripyllëzimin e parkut të Vjosës do të të përdoren vetëm speciet që rriten natyrshëm në rajon. Përshtatur me kushtet e sipërfaqes për ripyllëzim dhe bimësinë aktuale në të, do të përdoren lloje të ndryshëm drurësh si edhe metoda të ndryshme (bimë të reja me prejardhje vegjetative, fidanë farorë). Ndrkohë sipërfaqet e mbjella do të shënjohen për të parandaluar kullotjen në fazat fillestare.

Fidanishtja e Tepelenës, e cila ndodhet pranë Qendrës Kërkimore të Vjosës, do të monitorohet dhe mirëmbahet nga EcoAlbania dhe bashkia Tepelenë, nën kujdesin e ekspertëve të projektit.

Kjo ceremoni e veçantë na lejoi të festojmë një moment historik dhe të nisim punën për ripyllëzimin e Parkut Kombëtar të Vjosës, për të krijuar një të ardhme më të gjelbër, më të shëndetshme për lumin Vjosa dhe ekosistemin përreth tij.

Gjeni më shumë informacion mbi projketin e ripyllëzimit në Studimin e fizibilitetit.

Ceremonia e raportuar në median kombëtare EuroNews Albania