Nga Rashela Shehu, gazetare.
Gurgullima e lumit Shushica, që rrjedh e pastër dhe e mistershme nëpër grykën e Luginës, zgjon te Lela Qejvani ndjesinë e thellë të përkatësisë. “Fshati i babait tim është Kallarati, pushimet e vegjëlisë i kaloja këtu, ndaj kam shumë nostalgji për këtë zonë,” – kujton Lela me vështrimin që humbet nëpër valët e lumit, “por shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë”.
Mjedisin dhe lumin e Shushicës zonja 70-vjeçare nga Vlora, i cilëson një melodi në jetën e saj. Ndaj, vitet e fundit, ajo është shndërruar në një zë të fortë, duke u angazhuar me çdo mundësi për t’i mbrojtur këto pasuri. “Mjedisi është krijuar për të na falur begati dhe ajrin e pastër” – thotë Lela, “e jo që ne ta keqpërdorim apo ta ndotim” – shton më tej aktivistja.
E diplomuar për agronomi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Lela e ndjeu lidhjen me natyrën që në vitet e fëmijërisë. “Por vetëm ta duash natyrën nuk mjafton, duhet edhe ta mbrosh atë,” – shprehet ajo.
Ishin vitet e emigrimit në Greqi dhe Itali që shfaqën përpara saj perspektiva të reja duke forcuar edhe zërin e saj si aktiviste. “Kultura e ndëshkimit mungon në Shqipëri, po ashtu edhe mjetet ndërgjegjësuese,” shprehet aktivistja, e cila me iniciativën e saj ka organizuar disa fushata informimi me bizneset e zonës. “Disa gabime në sjelljen ndaj mjedisit ndodhin për shkak të mungesës së informacionit,” shton ajo, e cila veçon mbetjet urbane si një nga problemet më të mëdha.
Por zemra e Lelës pulson bashkë me Lumin e Shushicës, si një simfoni e natyrës që kërkon të dëgjohet. Ajo ka qenë gjithmonë aty për ta mbrojtur këtë degë të Vjosës, e bashkë me të, atë pjesë të identitetit të ngulitur thellë brenda saj. “Aty janë rrënjët e mia, kujtimet e mia, dhe amaneti që na lanë të parët për ta ruajtur këtë thesar të krijuar ndër shekuj,” shprehet ajo.
Beteja e saj personale nisi kur pa ca tuba gjigandë ngjyrë blu që shtriheshin disa kilometra përgjatë Luginës së Vjosës, për të marrë ujin e lumit Shushica, e të furnizohen me të zonat e bregdetit në jug të vendit. “U revoltova”, thotë Lela me zërin që nis t’i dridhet nga emocionet, “t’i marrësh ujin kësaj zone do të thotë t’i heqësh identitetin.”
Teksa hedh sytë mbi kodrinat e vogla që e rrethojnë Shushicën si një kurorë e gjelbër, Lela kujton me krenari protestat e shumta për mbrojtjen e Vjosës dhe degëve të saj, ku ajo ka qenë një zë i paepur. “U gëzova shumë kur Vjosa u shpall Park Kombëtar,” shprehet aktivistja, “por tani që Shushica rrezikon të tjetërsohet, mendoj se beteja jonë nuk ka përfunduar ende.”
E ndjen dhimbjen për të rinjtë që kanë zgjedhur të largohen nga fshatrat e Luginës, megjithatë, si nënë e dy fëmijëve, Lela e njeh mirë nevojën e tyre për të kërkuar një jetë më të mirë. “Unë, edhe vetëm të jem, do ta ngre zërin deri në fund,” thotë ajo, e vendosur të vazhdojë luftën e saj për natyrën, për lumin Shushica, dhe për të ardhmen e brezave që do të vijnë.