Banorët kundër ndërtimit të HEC-eve në Bënçë

20-05-2017, Bënçë, Tepelenë. Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” zhvilloi një takim me banorët e fshatit Bënçë për të diskutuar mbi çështjen e hidrocentraleve që janë duke u ndërtuar në këtë zonë. Shqetësimi i banorëve ishte i dukshëm pasi ndërtimi i këtij HEC-i do ta linte fshatin pa ujë. Bënça është një fshat i vogël që merret me blegtori, bujqësi dhe mbledhjen e bimëve medicinale- i vetmi burim ujor që ka është lumi.

Në luginën e Bënçës janë parashikuar të ndërtohen 8 HEC-e, 2 prej të cilave kanë filluar punimet, duke rrezikuar monumente të natyrës të mbrojtura me ligj si: Kanionet e Nivicës, Ujëvara e Progonatit, Tarracat erozive e Bënçës, Buza e Bredhit Luzat si dhe integritetin e gjithë ujëmbledhësit të Vjosës, i cili konsiderohet si një nga lumenjtë unik në gjithë kontinentin.


Gjatë takimit me banorët e fshatit. (c) M. Rama

Banorët janë kategorikisht kundër ndërtimit të hidrocentraleve dhe kanë mbështetjen edhe nga  kryetari i Bashkisë  Tepelenë, Tërmet Peçi i  cili  shprehu angazhimin e tij personal dhe institucional për ta ndjekur çështjen së bashku me banorët dhe organizatat deri në gjykatë.

Ndërsa drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, inkurajoi banorët ta mbrojnë këtë pasuri natyrore dhe se institucioni që ai përfaqëson ka ndërmarrë hapa për zhvillimin e turizmit jo masiv në zonë. Këtë vit Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit përkon me zhvillimin e qëndrueshëm përmes turizmit, një arsye më tepër për tu ndërgjegjsuar për këtë çështje.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit HELP-CSO, i cili zbatohet nga LexFerenda, EcoAlbania dhe Mieleukontakt Shqipëri dhe mbështetet financiarisht nga REC Shqipëri në kuadër të programit ACHIEVE që financohet nga Delegacioni Evropian në Shqipëri.

Nga Liljana Qorri/EcoAlbania

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *