Banorët kundër hidrocentraleve në fshatin Guri i Bardhë

Kompania dhe institucionet nuk paraqiten në dëgjesën publike të njoftuar në web-faqen e AKM

13.09.2024, Guri i Bardhë, Klos. Banorët e fshatit Guri i Bardhë dhe aktivistë u mblodhën dje pranë Njësisë Administrative Xibër, për të marrë pjesë në dëgjesën publike të njoftuar nga kompania “Geoalb Energy”, e cila planifikon të ndërtojë dy hidrocentrale të vegjël (2MW) në përroin e fshatit. Edhe pse njoftimi publik për zhvillimin e kësaj dëgjese ishte bërë në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, në mënyrë të papritur për banorët, asnjë përfaqësues nga kompania apo institucionet përkatëse nuk u paraqitën në dëgjesë. 

Banorët edhe pse në një kohë shumë te shkurtër arritën të organizohen për të ngritur zërin e tyre në kundërshtim të këtyre projekteve shkatërruese për mjedisin e zonës dhe potencialit ende të pazhvilluar të ekoturizmit. “Ne nuk na duhen HEC-et, ne na duhen investime të tjera. Nuk duam të behet ndërhyrje në mjedis. Nuk duam t’na mallkojnë brez-pas-brezi pse nuk e kemi ruajtur këtë vend”, shprehet Resul Baleta banor i Gurit të bardhë dhe një prej pionerëve të ekoturizmit në fshat. 

Planet për ndërtimin e HEC Guri Bardhë 1 dhe Guri Bardhë 2, kanë filluar që në vitin 2020, ku e njejta kompani aplikoi për leje mjedisore pranë AKM dhe kjo e fundit më pas lëshoi Deklaratën Mejdisore negative në 2021. Tre vite pas refuzimit të lejes mjedisore, kompania ka aplikuar sërish për leje pranë AKM. 

“Zona ku planifikohet të ndërtohen 2 hidrocentralet është brenda Parkut Natyror Mali me Gropa – Bizë – Martanesh- një zonë e paprekur me një peizazh të mrekullueshëm. Në mbështetje të banorëve të prekur, ne jemi të angazhuar për ta ndjekur këtë proces në rrugë institucionale dhe jo vetëm”, tha Olsi Nika, nga EcoAlbania. 

Banorët kanë kundërshtuar planet për ndërtimin e hidrocentraleve në fshatin Guri i Bardhë, që pej fillimit, ndërsa duket se beteja e tyre nuk ka mbaruar dhe ky lajm i ka alarmuar. Ndërsa ata kanë filluar të invesotjnë në zhvillimin e turizmit në zonë.