Si pjesë e projektit “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, EcoAlbania ka vizituar gjashtë shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në luginën e Vjosës për të zhvilluar orë të edukimit mjedisor me nxënësit nga moshat 10-18 vjeç. Besjana Guri dhe Robert Shahini mbajtën prezantime në klasë mbi rëndësinë e ekosistemeve të shëndosha, si dhe realizuan aktivitete dhe eksperimente për të tërhequr vëmendjen mbi tema si: ndotja dhe ruajtja e natyrës. Aktivitet janë zhvilluar në periudhën dhjetor 2019 – shkurt 2020 në Selenicë, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë dhe Qesarat.
Prezantimet në klasë kishin të bënin me gjashtë tema kryesore: Ajri, Uji, Dheu, Pyjet, Menaxhimi i Mbetjeve dhe Efiçenca e Energjisë. Nxënësit u inkurajuan të ndajnë njohuritë e tyre të mëparshme për këto çështje. Më pas, atyre iu dha më shumë informacion mbi këto lëndë për të zhvilluar vetëdijen mjedisore që në moshë të re. Përveç kësaj, studentët zhvilluan aktivitete të ndryshme në natyrë. Në një aktivitet, ata u ndanë në grupe dhe mbledhën objekte nga natyra, të tilla si gjethe, shkëmbinj ose lule, dhe përgatitën një “picë” me to. Pastaj ata mblodhën të gjithë plehrat që gjetën dhe i shtuan ato si përbërës të picës. Pas këtij aktiviteti, studentët u pyetën se cila picë u pëlqeu më shumë; përgjigjja ishte e qartë – pica pa mbeturina. Në këtë mënyrë, ndikimi negativ i mbeturinave në bukurinë e natyrës u bë i dukshëm për të gjithë. Ata gjithashtu ishin pjesë e eksperimenteve të tjera si: vëzhgimi i cilësisë së ajrit, njohja e vetive të tokës dhe zhavorrit, lojëra me role, etj. Të gjitha eksperimentet u zgjodhën me kujdes nga libri i moduleve FiKiBio që është përgatitur nga EcoAlbania në 2018.
Përmes këtij programi edukimi, nxënësit fituan njohuri për çështjet më të rëndësishme mjedisore në Shqipëri dhe problemet që shkaktohen ndaj tij. Për më tepër, ata mësuan më shumë mbi mënyrat për të shpëtuar mjedisin duke zvogëluar ndikimin e tyre në mjedis dhe se ndryshimi fillon me veprimet e një individi. Me ndihmën e shembujve konkret atyre iu dhanë këshilla se çfarë të bëjnë në jetën e tyre të përditshme dhe u inkurajuan që të informojnë edhe të tjerët për këtë. Rezultati shpresues është një rritje e ndërgjegjësimit mjedisor të brezit të ri në komunitetet e vizituara.
Shkollat e mëposhtme u zgjodhën për këtë projekt:
- Shkolla 9 vjeçare “Jonuz Gora” Selenicë, 17 Dhjetor 2019
- Shkolla 9 vjeçare “7 Marsi” Tepelenë, 19 Dhjetor 2019
- Shkolla 9 vjeçare “Nimete Progonati Bënja” Memaliaj, 16 Janar 2020
- Shkolla 9 vjeçare “Meleq Gosnishti” Përmet, 23 Janar 2020
- Shkolla 9 vjeçare “Kamber Bënja” Këlcyrë, 24 Janar 2020
- Shkolla e bashkuar “Ormen Selami” Qesarat, 25 Shkurt 2020