Gardhi i dytë i Zvërnecit

++ Revolucioni i Flamingove sfidoi gardhin fizik; eurodeputetët u ndalën te gardhi protokollar

Nga Olsi Nika, EcoAlbania

Vizita e 22 shtatorit në Zvërnec duhej t’u jepte përfaqësuesve të Parlamentit Evropian mundësinë të shihnin nga afër ndërhyrjet që kanë ndezur prej muajsh protestën qytetare. Por një itinerar i kuruar me kujdes i çoi nga Manastiri i Zvërnecit në det, ndërsa zona që ishte arsyeja e vizitës mbeti përtej një gardhi të ri – kësaj here jo prej hekuri, por prej protokolli.

Në fund të majit, qytetarët e Zvërnecit u përballën me një gardh me tela që kufizonte hyrjen në një pjesë të territorit bregdetar ku kishin nisur punimet. Përplasja rreth atij gardhi u bë një prej momenteve që ndezën revoltën qytetare dhe protestat që më pas morën u formësua si “Revolucioni i Flamingove”. Pamjet e protestuesve përballë rrethimit dhe telave me gjemba u dokumentuan dhe bënë xhiron e botës nën lenten e mediave vendase e ndërkombëtare në fund të majit.

Gati katër muaj më vonë, më 22 shtator, në Zvërnec mbërritën edhe përfaqësues të Parlamentit Evropian, në kuadër të takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, i cili zhvillohet më 21 dhe 22 shtator në Tiranë.

Sipas vëzhgimit në terren të EcoAlbania-s, në segmentin e vizitës në zonë morën pjesë tre eurodeputetë, të shoqëruar nga tre deputetë të mazhorancës dhe një deputet i opozitës. Pritshmëria ishte që vizita t’u krijonte mundësinë për t’u njohur drejtpërdrejt me ndërhyrjet që kanë prodhuar një prej konflikteve më të mëdha mjedisore dhe qytetare në Shqipërinë e tranzicionit.

Mirëpo, në Zvërnec rezultoi se ekzistonte edhe një gardh i dytë. Ky nuk ishte prej hekuri dhe nuk kishte tela me gjemba. Ishte një gardh protokollar, i ndërtuar përmes itinerarit që kishin përgatitur me shumë kujdes deputetët e mazhorancës së parlamentit shqiptar.

Një ç’organizim i organizuar me kujdes

Vizita nisi në Manastirin e Zvërnecit, ku eurodeputetët u njohën me historinë e objektit fetar dhe trashëgiminë e tij. Më pas ishte parashikuar një takim me banorë të fshatit, por reagimi dhe protesta e tyre e bënë të pamundur zhvillimin e tij sipas skenarit të parashikuar. Prania e banorëve dhe tensioni i krijuar gjatë vizitës janë raportuar edhe publikisht gjatë ditës.

Logjika do të sugjeronte që, pas kësaj, delegacioni të drejtohej pikërisht aty ku ndodhej arsyeja e debatit: në territorin ku kanë hyrë makineritë, ku janë ngritur shqetësimet për habitatet e dunave ranore dhe të pyllit dhe ku do të mund të shihej me sy ajo që prej muajsh diskutohet në Tiranë dhe në Bruksel.

Por itinerari kishte një tjetër ide.

Vizita vijoi me një lundrim në det, në hapësirën mes Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit, dhe me këtë përfundoi edhe dita në zonë.

Parë nga jashtë, mund të dukej si një axhendë e çrregullt. Por, parë nga rezultati, EcoAlbania e konsideron atë një ç’organizim të organizuar me kujdes: një seri lëvizjesh që arriti të konsumonte kohën në mënyrë të tillë që territori më i rëndësishëm për t’u parë të mbetej jashtë vizitës.

Nuk është e nevojshme të hamendësojmë motivet e organizatorëve për të konstatuar rezultatin. Eurodeputetët mbërritën në Zvërnec për t’u njohur me një konflikt të lindur në territor, por u larguan pa pasur mundësinë të verifikonin drejtpërdrejt vendin ku ky konflikt kishte nisur.

Nga deti, pylli duket më i qetë

Në fakt, itinerari i 22 shtatorit kishte edhe një avantazh të padiskutueshëm: nga deti, pylli duket shumë më i qetë.

Dunat duken gjithashtu më të pashqetësuara kur shihen nga Manastiri, ndërsa gjurmët e makinerive kanë vetinë e dobishme të zhduken kur distanca mes vëzhguesit dhe territorit bëhet mjaftueshëm e madhe.

Ky është pikërisht absurditeti që e bën vizitën problematike. Një lundrim mund të jetë mënyrë e shkëlqyer për të parë peizazhin e Zvërnecit, por është një instrument mjaft i dobët për të vlerësuar ndërhyrjen në habitatet tokësore. Nëse shqetësimi lidhet me dunat, pyllin dhe transformimin fizik të një zone të mbrojtur, atëherë verifikimi kërkon kontakt me territorin dhe jo vetëm një panoramë të tij.

Dhe tre eurodeputetët nuk kishin ardhur në zonë si turistë. Ata janë pjesë e një institucioni që vetëm tre muaj më parë ka folur në mënyrë jashtëzakonisht të qartë për Vjosa–Nartën dhe për ndryshimet ligjore që i hapën rrugën ndërhyrjeve të tilla.

Jashtë itinerarit, brenda rezolutës

Më 17 qershor 2026, Parlamenti Evropian miratoi me 483 vota pro, 103 kundër dhe 70 abstenime raportin e tij për Shqipërinë.

Në tekstin e miratuar, Parlamenti shprehu shqetësim serioz për zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosa–Nartë dhe për pasojat praktike të ndryshimeve ligjore mbi territoret me vlerë të njohur ekologjike. Ai kërkoi një moratorium të menjëhershëm mbi procedurat e reja të lejeve, punimet dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura, derisa dispozitat e papajtueshme të ligjit të ndryshuar për zonat e mbrojtura të shfuqizohen dhe të garantohet përputhja e plotë me standardet e BE-së.

Kjo është arsyeja pse ajo që po ndodh në Pishë-Poro–Nartë nuk mund të trajtohet më thjesht si një përplasje lokale mes një projekti turistik dhe organizatave mjedisore.

Çështja është tashmë pjesë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe madje një “patate e nxehtë” e tij.

Në pozicionin negociues për Kapitullin 27 – Mjedisi dhe ndryshimet klimatike, një nga piketat përmbyllëse kërkon shprehimisht që Shqipëria të vazhdojë përafrimin me acquis të BE-së për mbrojtjen e natyrës, përfshirë shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të miratuara përmes ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, Ligji nr. 21/2024, si dhe përfundimin e regjimit të legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike.

Edhe Komisioni Evropian e konfirmoi këtë qëndrim në gusht 2026, duke theksuar se piketat përmbyllëse të Kapitullit 27 kërkojnë pikërisht shfuqizimin e këtyre dispozitave të papajtueshme dhe se Shqipëria duhet të dëshmojë kapacitet për mbrojtjen e habitateve, specieve dhe zonave të ardhshme Natura 2000.

Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për një ligj që kundërshtohet nga organziatat mjedisore, banorët apo protestuesit. Korrigjimi i ndryshimeve të vitit 2024 është kthyer në një detyrim konkret të rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Kurthi i protokollit

Këtu vizita e 22 shtatorit merr një kuptim më të gjerë.

Është paradoksale që Parlamenti Evropian të ketë arritur deri në pikën e përfshirjes së Vjosa–Nartës në rezolutën e vet, Komisioni Evropian ta ketë lidhur ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura me piketat përmbyllëse të Kapitullit 27, ndërsa përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, pasi udhëtojnë qindra kilometra për të ardhur në Shqipëri dhe deri në Zvërnec, të ngecin në kilometrin e fundit.

Gardhi fizik që ndezi protestën ishte i dukshëm. Kishte tela, shtylla dhe roje. Gardhi i 22 shtatorit ishte shumë më elegant: kishte axhendë, protokoll, ndalesa dhe një lundrim gjysmë-romantik varkë.

Por efekti përfundimtar ishte i ngjashëm, kufiri mes përfaqësuesve evropianë dhe territorit që duhej parë mbeti i pakaluar.

Kjo duhet të shqetësojë edhe vetë eurodeputetët. Një vizitë parlamentare ka vlerë pikërisht sepse përfaqësuesit duhet të kenë mundësinë të formojnë një gjykim të pavarur, duke parë faktet dhe duke dëgjuar palët. Kur itinerari fillon të përcaktojë jo vetëm ku do të shkojnë, por edhe çfarë nuk do të shohin, protokolli pushon së qeni instrument organizimi dhe rrezikon të bëhet filtër i realitetit.

Shqipëria është në një fazë të procesit të integrimit ku dallimi mes deklaratave dhe zbatimit do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Në këtë fazë, zonat e mbrojtura nuk janë një çështje dekorative dhe as një pengesë që mund të anashkalohet për hir të zhvillimit. Ato janë një test konkret i aftësisë së vendit për të respektuar standardet që vetë ka pranuar si kusht për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Prandaj, një vizitë tjetër në Pishë-Poro–Nartë do të ishte e mirëpritur. Këtë herë, me komunitetin, ekspertët dhe organizatat mjedisore të pranishme dhe me territorin e ndërhyrjes brenda itinerarit.

Sepse gardhet mund të marrin forma të ndryshme dhe integrimi evropian duhet të jetë, mes të tjerash, aftësia për t’i kapërcyer ato.