Fund Iluzioneve për Zonat e Mbrojtura, trashëgimia natyrore dorëzohet për zhvillim
Tiranë, 31 Korrik 2025 – Gjykata Kushtetuese ka shpallur sot vendimin në lidhje çështjen me kërkues 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me objekt: Shfuqizimin e ligjit nr.21/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjet Ndërkombëtare.
Gjatë shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese trajtoi një sërë pretendimesh që lidhen me procesin legjislativ dhe përmbajtjen e ligjit, përfshirë:
- Pezullimin e ligjit gjatë shqyrtimit – i rrëzuar.
- Mospërputhshmërinë me MSA-në dhe acquis communautaire – i rrëzuar për mungesë të shumicës së cilësuar.
- Mungesën e konsultimit publik – i rrëzuar me arsyetimin se iniciativa ishte parlamentare dhe jo qeveritare.
- Mungesën e raportit të shpenzimeve financiare – i rrëzuar, sërish për mungesë të konsensusit mes gjyqtarëve.
- Cenimin e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë natyrore – i rrëzuar me argumentin se ligji është kuadër dhe nuk ka efekte të drejtpërdrejta pa aktet nënligjore.
Gjykata vendosi që ligji i ndryshuar nuk përbën në vetvete një shkelje të Kushtetutës, duke lënë kështu në fuqi një kuadër të ri ligjor që lejon krijimin e strukturave të reja dhe rihap debatin mbi zhvillimet e lejueshme brenda zonave të mbrojtura.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së 1/5 së deputetëve të Kuvendit dhe organizatave mjedisore për shfuqizimin e ligjit të ri për zonat e mbrojtura ka shkaktuar shqetësim të thellë në radhët e shoqërisë civile dhe komunitetit shkencor. Ligji i ri, tashmë në fuqi, konsiderohet nga ekspertët si një hap kritik pas drejt disintegrimit ekologjik të pasurive natyrore të Shqipërisë, duke i hapur rrugën urbanizimit dhe zhvillimit të vrullshëm ekonomik mbi tokat që deri dje ishin të mbrojtura me ligj.
Ky vendim përforcon një trajektore të nisur qysh 6 vjet më parë, me rishikimin e rrjetit kombëtar të Zonave të Mbrojtura, ku planet e qeverisë për “zhvillim të qëndrueshëm” të zonave të mbrojtura kanë shpërfillur vazhdimisht zërat e komuniteteve vendore, ekspertëve të mjedisit dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë në kuadër të konventave të mjedisit dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Përveç qëllimit edhe procesi i miratimit të këtij ligji ka qenë thellësisht problematik, i shoqëruar me mungesë transparence, konsultime formale dhe shpesh simbolike me palët e interesit, si dhe me shkelje të rënda të standardeve të parashikuara nga ligji shqiptar dhe traktatet ndërkombëtare. “I gjithë procesi është shoqëruar me përdorimin si leva të institucioneve të pavarura nga qeveria për të përmbushur me kokëfortësi planin e saj të shpallur që në vitin 2018 për të ofruar zonat e mbrojtura në funksion të zhvillimit ekonomik të vrullshëm dhe që duket se nuk është ndalur me Bashkitë, Parlamentin dhe Presidentin e Republikës. Me sa duket hallka e fundit e vendosur në rresht, ka qenë pikërisht Gjykata Kushtetuese, e cila përmes kësaj vendim-marrjeje i jep fund edhe “de jure” mbrojtjes së zonave të mbrojtura” – tha Av. Dorian Matlija, përfaqësuesi i organizatave mjedisre në këtë proces, njëkohësisht edhe përfaqësues i Qendrës Res Publica.
Organizatat mjedisore, që ngritën çështjen në Gjykatën Kushtetuese, paralajmëruan se ligji i ri i hap dyert legalizimit të ndërtimit të resorteve turistike, rrugëve dhe infrastrukturës së rëndë brenda zonave që deri më tani kanë qenë të paprekshme. Kjo jo vetëm që kërcënon biodiversitetin, por cenon drejtpërdrejt shëndetin ekologjik të vendit dhe përkushtimet e Shqipërisë për një zhvillim të qëndrueshëm.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një hap i rëndë drejt zhbërjes së gjithë arritjeve mjedisore të dekadave të fundit”, tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania, njëkohësisht një prej organizatave që ka mbështetur çështjen e ngritur nga 1/5 e deputeteve për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore. “Kjo është jo vetëm një betejë e humbur për natyrën, por edhe një sinjal alarmi për rolin e institucioneve në mbrojtje të interesit publik“, shtoi ai.
Ky zhvillim vendos një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e politikave mjedisore në Shqipëri dhe ngre shqetësime serioze për ndarjen e pushteteve, integritetin e vendimmarrjes gjyqësore dhe përdorimin e institucioneve të pavarura në funksion të agjendave të njëanshme.
Në një kohë kur vendi aspiron integrimin në Bashkimin Evropian, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese rrezikon të përçojë një mesazh të gabuar për përkushtimin e Shqipërisë ndaj standardeve evropiane të mbrojtjes së mjedisit dhe transparencës demokratike.