Workshopi Final për Konsultimin e Planit të Veprimit për Korridorin Ekologjik “Polis-Valamarë-Rungajë-Moravë-Gramoz”

Elbasan, 18.04.2024. Përmbyllet turi i workshop-eve me aktorët lokal, për konsultimin e Planit të Veprimit të korridorit ekologjik “Polis-Valamarë-Rungajë-Moravë-Gramoz”. Takimi i fundit u mbajt në Elbasan, ku bëri bashkë përfaqësues të bashkive (Librazhd, Gramsh, Prrenjas, Maliq, Pogradec, Skrapar) si dhe përfaqësues të prefekturave (Elbasan, Korçë, Berat), Administratave të zonave të mbrojtura (Elbasan, Korçë, Berat), OJF-të mjedisore lokale dhe përfaqësues të sektorit të turizmit. Ky takim synonte të merrte mendimet finale të gjithë aktorëve lokal, për të konfirmuar vizionin, objektivat dhe aktivitetet e dakortësuara bashkarisht në planin e veprimit për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij korridori ekologjik.

Pikë kryesore e prezantimit të Planit të Veprimit ishte theksimi i rëndësisë së integrimit të koncepteve të konektivitetit ekologjik në strategjitë e planifikimit territorial dhe përfshirja e gjerë e komunitetit, bashkëpunimi i fortë midis të gjithë palëve të interesit dhe promovimi i zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, si elementë të domosdoshëm për të arritur një menaxhim efektiv të korridoreve ekologjike, një koncept inovativ dhe i patrajtuar ligjërisht në vendin tonë.

U diskutua gjithashtu se angazhimi dhe pjesëmarrja aktive e përfaqësuesve të institucioneve dhe komunitetit lokalë janë garancia më e mirë për të ruajtur konektivitetin ekologjik midis këtyre zonave të mbrojtura, përfshirë Parqet Kombëtare të “Malit të Tomorrit” dhe “Shebenikut”, dhe lëvizjen e lirë të specieve të tilla me rëndësi, si Rëqebulli i Ballkanit, Ujku, dhe Ariu i Murmë.

Ky Plan Veprimi, i përgatitur me mbështjen financiare të PONT, do t’ju shërbejë kryesisht njësive të qeverisjes vendore, në orientimin e politikave të tyre drejt mitigimit të impakteve që kërcënojnë korridorin ekologjik “Polis – Valamarë – Rungajë- Moravë – Gramoz”, duke kontribuar në promovimin e një përdorimi të qëndrueshëm të burimeve natyrore që do të nxisin zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale.