Në korrik 2015 u krijua grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” i përbërë nga organizatat mjedisore: INCA, REC Albania, Qendra EDEN, Ekolëvizja, EcoAlbania, Mileukontakt Albania, Shoqata për Bujqësinë Organike, Instituti për Politikat Mjedisore, Qendra EPER. Qëllimi i grupimit është të mbrojë lumenjtë e Shqipërisë nga zhvillimi i pakontrolluar i projekteve energjitike.
Në daljen publike për herë të parë grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” në një konferencë për shtyp, bëri me dije se për të realizuar mbrojtjen dhe menaxhimin me kritere pro mjedisore dhe pro zhvillimit të qëndrueshëm, ka ndërmarrë nismën për të kërkuar moratorium për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Shqipërisë për një periudhë 3 vjeçare.
Moratoriumi kërkohet për ndalimin e dhënies së licencave të koncesione për HEC-e në të gjithë territorin e vendit. Ky moratorium do të shërbejë për të analizuar situatën aktuale të koncesioneve dhe kushteve të zbatimit të tyre në përputhje me kërkesat ligjore të zhvillimit të territorit si dhe kërkesat e zhvillimit të qëndrueshëm mjedisor.
Në mënyrë më specifike gjatë periudhës së moratoriumit do të nevojitet të rishikohen, pezullohen dhe anulohen të gjitha licencat e dhëna deri më sot në zonat e mbrojtura dhe zonat sensitive lumore me potenciale të larta natyrore me prani të monumenteve natyrore në to. Rishikimi i veprave hidrike mbi lumin Vjose, HEC-i i Kalivaçit, Lengaricës dhe Bënçës janë një prioritet, qëkurse kryeministri i vendit është shprehur për angazhimin qeveritar për ta kthyer lumin Vjosa në Park Kombëtar.
Por jo vetëm mbi lumin Vjosë, pasi ka ende koncesione të pavënë në zbatim dhe që ndikojnë në zonat e mbrojtura natyrore si në lumin e Valbonës, në Parkun Kombëtar të Shebenik-Jablanicës, në zonën e Korabit, në zonën e malit të Tomorrit, etj. Ne nuk jemi “kundër” zhvillimit të shoqërisë, përmirësimit të kushteve të jetesës së komunitetit për përdorimin efektiv të burimeve natyrore, por jemi kundër zhvillimit pa kritere që sjell pasoja katastrofike në mënyrën e menaxhimit të burimeve natyrore.