Efiçenca e energjisë në ndërtesa mblodhi në tryezë diskutimi përfaqësues të Bashkisë Tiranë, administratorë të pallateve të qytetit të Tiranës, si dhe ekspertë të fushës së energjisë.
Pjesëmarrësit u njohën me disa nga gjetjet kyçe të raportit “Vlerësimi i performancës së energjisë në ndërtesa përmes konceptit të varfërisë energjetike” për qytetin e Tiranës. Theksi u vendos në rezultatet e mbledhura gjatë studimit të kryer në familjet e qytetit duke përfshirë dhe familjet në nevojë. Pesha e faturës së energjisë elektrike në raport me të ardhurat mujore dhe përdorimi i energjisë elektrike në kampionin e studiuar ngjallën interes ndërmjet të pranishmëve.
Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike, i njohu të pranishmit me dy ligjet për efiçencën dhe përformancën e energjisë në ndërtesa, si dhe objektivat kombëtare që Shqipëria është zotuar të plotësojë deri në vitin 2030. Ai shpjegoi disa nga masat konkrete që administratorët e pallateve mund të ndërmarrin për rritjen e performancës dhe kursimit të energjisë në ndërtesat e tyre. “Termoizolimi i ndërtesës, pajisja me ngrohje qëndrore, pajisje elektroshtëpiake efiçente, ndriçimi i hapësirave të përbashkëta me llabma LED janë disa masa që mund të ndërmerren si për rritjen e efiçencës së energjisë, ashtu edhe për kursimin në faturën e energjisë elektrike”- shpjegoi ai.
Znj. Klodiana Bici, përgjegjëse sektori pranë “Drejtorisë Përgjithshme e Objekteve në Bashkëpronësi, Administrimit të Njësive Administrative dhe Emergjencave Civile” në Bashkinë Tiranë, prezantoi skemën 50:50 për objektet në bashkëpronësi në qytetin e Tiranës, programin “Fondi i Komunitetit”, si dhe mundësitë e përfitimit nga kjo nismë. Nisma 50:50 e Bashkisë Tiranë parashikon mbulimin e 50 % të shumës së parave të nevojshme për realizimin e termoizolimit të objekteve në bashkëporonësi në qytet. Diskutimet u përqëndruan mbi procedurat e aplikimit për këtë fond, mundësitë e shtrirjes përtej vitit 2018, si dhe fondi limit i mbulimit.
“Hapja e thirrjeve nga Bashkia Tiranë bëhet në fillim të çdo muaji, në datat 1 -20. Aplikimi duhet të kryhet nga administratorët e pallateve pranë njësive administrative përkatëse. Ndër kushtet që nevojiten të plotësohen është edhe një dokument dakordësie mes bashkëpronarëve, ku minimalisht duhet të garantohet dakordësia e 75% të bashkëpronarëve” – sqaroi Znj. Bici.
Në përfundim të takimit, Znj. Bici ka pohuar se ligji i administrimit të objekteve në bashkëpronësi, duke qenë një ligj i vitit 2009, ka ende probleme. “Ne e kemi rishikuar dhe kemi krijuar një draft për përmirësimin e tij, ku në vazhdim do të bëhen edhe dëgjesa publike, e më pas do të paraqitet për miratim pranë institucioneve përkatëse.”
—
Ky takim organizohet nga EcoAlbania në kuadër të projektit “Së bashku – një sy për mjedisin” dhe mundësohet financiarisht nga Ambasada Suedeze nëpërmjet programit SENiOR-II i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit – REC Shqipëri.