Një raport teknik i një rrjeti organizatash jofitmprurëse të Europës qëndrore dhe asaj lindore akuzon bankat ndërkombëtare të zhvillimit dhe institucionet e Bashkimit Europian se po financojnë në Shqipëri projekte që rrezikojnë monumentet natyrore dhe parqet kombëtare të vendit.
Raporti investigativ është hartuar nga rrjeti BankWatch dhe përmend HEC-in e Langaricës dhe atë të Tërnovës si shembuj flagrantë se si paratë e donatorëve po financojnë ndërtime që kërcënojnë zonat e mbrojtura.
Raporti investigon financimin e hidrocentraleve në të gjithë vendet e Europës jug-lindore, por ndër rastet më tipike të abuzimeve ai referon Shqipërinë.
“Në prill të 2015-s, PE i kërkoi Shqipërisë të anullojë ndërtimin e HEC-eve në zonat e mbrojtura. Ndonëse nuk përmendte emra, rezoluta i refereohej kryesisht Langaricës dhe 40 HEC-eve të tjera në lumin e Vjosës. Ironikisht ky projekt financohet nga IFC-ja e Bankës Botërore dhe vetë institucionet publike të BE-së”, thotë raporti.
Raporti e cilëson Langaricën si rastin simptomatik të erës së ish-kryeministrit Berisha, administrata e të cilit lëshoi qindra leje hidrocentralesh.
Fillimisht koncesioni iu dha “Hasi Energji”, një kompani e panjohur që merrej me tregtim ushqimesh. Por katër muaj më vonë qeveria e shpalli zonën park kombëtar. Në vitin 2011, “Hasi” ja shiti konçesionin një kompanie austriake me emrin “Enso Energy”.
Shpallja park kombëtar nënkuptonte se kompania duhet të riaplikonte për lejen mjedisore. Ndonëse fillimisht leja u mohua, vetëm tre muaj më vonë qeveria e miratoi atë.
“Që atëherë, ky projekt ka marrë 6 milionë euro financime nga IFC, 5 milionë euro kredi nga Banka Austriake e Zhvillimit dhe 9.1 milionë euro kredi e grante nga Fondi për Rritjen e Gjelbër, që zotërohet nga BERZH, Banka Europiane e Investimeve, KFË, etj”, nënvizon raporti.
Por Langarica nuk është rasti i vetëm. Raporti sjell në vëmendje edhe HEC-in e Tërnovës, i cili devijon ujërat që banorët e zonës i përdornin për vaditje.
“Në 2012-ën BERZH aprovoi 6 milionë euro fonde për HEC-in e Tërnovës. Para fillimit të punimeve projekti nuk ishte konsultuar me banorët e zonës, pavarësisht se cënonte ekonominë e tyre. Ky veprim është në kundërshtim me kërkesat sociale dhe mjedisore të BERZH”, shton raporti.
Në total, dokumenti vëren se në Shqipëri janë mbi 94 hidrocentrale të planifikuara brenda zonave të mbrojtura.
Kronikë nga Top Channel
Këtu mund të gjeni studimin e plotë të realizuar nga RiverWatch dhe EuroNatur me asistencën e BankWatch.