Kanceri i rrapit ose i njohur ndryshe me emrin shkencor Ceratocystis platani është një sëmundje e cila ka prekur rrepet në Shqipëri, duke çuar në tharjen e rrepeve shekullorë në vendin tonë.
Pamja e deformuar e pemës tregon se ato janë tashmë të infektuara dhe duhet një periudhë e shkurtër kohe që ato pemë të thahen tërësisht. Format e përhapjes së saj janë të shumta, ndaj parandalimi i kësaj sëmundjeje është shumë i vështirë.
“Është sëmundje kërpudhore, sëmundja si vektor të saj ka disa elementë, pra njeriun, shpendët, insektet, era kryesisht është më së shumti, duke qenë se kërpudhat shtohet me spore dhe sporet fare lehtë transmetohen, ndërmjet erës veçanërisht”, – informon eksperti mjedisor Abdulla Diku.
Kjo sëmundje është gjeografikisht e shtrirë në shumë zona të Shqipërisë, ndërsa në luginën e lumit Vjosë ka tharë tërësisht rrepet shekullore që parandalonin daljen e lumit nga shtrati.
“Pjesët më të ndikuara janë pjesët e jug-perëndimit, pra Gjirokastra, Tepelena më shumë, lugina e Vjosës, Permeti, janë rrepet e Shushicës deri në Kuç, lumi i Vlorës, rrepat e tjerë që kanë ekzistuar prej kohësh gjatë bregdetit të Jonit dhe aktualisht është parë dhe në lumin Mat“, – informon eksperti Diku.
Në rastin e Vjosës, tharja e të gjithë rrepeve në luginë ka intensifikuar fenomenin e erozionit në zonë.
“Nga 2009 deri në 2011-2012 e gjithë lugina u përfshi, ato infektuan njëra-tjetrën për shkak se se kurorat ishin shumë të mëdha dhe u thanë të gjitha rrepet në Luginë. Kjo solli detyrimisht dhe krijimin e xhepave të tokës dhe lumi deportoi përmes tyre. Filloi të ndodhte erozioni dhe dalja nga shtrati shumë shpesh e lumenjve dhe e Vjosës në rastin konkret”, – pohon Aleksandër Toti nga Bashkia e Tepelenës.
Identifikimi i kësaj sëmundjeje është shumë e vështirë, pasi kanceri i rrapit është sëmundje kërpudhore dhe ka shumë mënyra transmetimi.
“Duke qenë sëmundje kërpudhore, sëmundja shtohet me spore, sporet nuk shihen me sy të lirë, veç me mikroskop. Duhet t’i rrish çdo druri në këmbë, të shohësh nëse ka shenja infektimi, ta presësh dhe ta djegësh”, – shpjegon Abdulla Diku.
Përveç erës dhe shpendëve, dëmtimi i pemëve, po ashtu krijon lehtësi dhe terren në transmetimin e kancerit.
“Nëse dikush ngul një gozhdë ose bën një linjë tensioni, linjë elektrike dhe çdo lloj gërvishtjeje bëhet objekt për sporet e kancerit”, – vijon më tej eksperti pyjor Diku.
Aktualisht, mungesa e rrepeve në luginën e Vjosës bën që çdo vit të përmbyten rreth 60 hektarë tokë.
“Bashkia e Tepelenës vetëm sivjet ka arritur që të bëjë diçka serioze. Këtë vit që flasim u bë investimi i bypass-it dhe bashkë me të u bë dhe një barrierë për mbrojtjen e lagjes dhe në pjesën e parkut ne kemi mbjellë 6000 fidanë shelgje të cilët zëvëndësuam 2000 rrepë të degraduar”- informon Toti.
Ekperti Abdulla Diku shpjegon se në këtë rast duhet të ketë një ndërhyrje bio-inxhinierike në mënyrë të parandalohet fenomeni i erozionit në Vjosë.
“Një cm tokë duhen 500-600 vjet që të krijohet. Po kaq kohë na duhen për 1 cm tokë që shiu e shpërlan për një ose dy minuta. Ndonjëherë të duket sikur po lufton me mullinjtë e erës. Duhen prita betoni që vijnë pingul dhe devijojnë rrjedhën e lumit”.
Sipas një vlerësimi të kryer gjatë vitit 2020 nga anëtarë të stafit akademik të Fakultetit të Shkencave Pyjore (FSHP) vlera mesatare e erozionit në pellgun ujëmbledhës të lumit Vjosa rezulton të jetë rreth 1 m3/ha/vit.
Nga Entenela Ndrevataj