Shkencëtarët nga Universiteti BOKU i Vjenës dhe Universiteti Politeknik i Tiranës vizitojnë sërish luginën e Vjosës për Studimin e sedimenteve.

Njoftim për shtyp nga Riverwatch, EuroNatur dhe EcoAlbania

Tiranë, 20 Mars 2018. Shkencëtarët nga Austria dhe Shqipëria vijojnë studimet në lumin e Vjosës – lumin e fundit të egër më të madh në Evropë. Sot ata mbajtën një konferencë për shtyp për të prezantuar gjetjet nga ekspediatat e realizuara gjatë vitit 2017 në luginën e Vjosës si dhe të dhënat e fundit nga puna në terren. Në datat 15 -19 Mars 2018 grupi i shkencëtarëve nga Universiteti i  Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës (BOKU) i Vienës dhe Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Gjeologji Minierave kanë vijuar me Studimin e Sedimenteve të lumit në Luginën e Vjosës.

Studimi i sedimenteve do të kryhet në disa faza, nëpërmjet teknikave bashkëkohore dhe do të masë prurjen dhe cilësinë e sedimenteve të lumit Vjosë. Ai do të përcaktojë, në këtë mënyrë, ndikimet që do të sjellë ndërtimi i digave. Nga ana tjetër, këto të dhëna do të dëshmojnë sa efektiv është ndërtimi i digave, duke konsideruar sasinë e transportuar të sedimenteve.

Vjosa. (c) G. Subic

“Ndërtimi i digave përgjatë të gjithë basenit të lumit Vjosa duhet të bazohet në një studim të mirëfilltë gjeologjik, gjeo-inxhinierik, hidrogjeologjik dhe sedimentologjik. Por, fatkeqësishisht studime të këtij lloji ne nuk kemi deri më tani. Nuk mundemi kurrësesi të mendojmë që mund të ndërtojmë objekte strategjike të këtij lloji pa patur informacione të mjaftueshme mbi sasinë dhe llojshmërië e sedimenteve që do të depozitohen në pjesën e sipërme të digës dhe që ndikojnë rreptësisht në jetëgjatësinë e digave.”- u shpreh Dr. Klodian Skrame, nga Universiteti Politeknik i Tiranës.

Studimet fillestare të kryera më herët në Vjosë treguan se sedimentet e bllokuara pas digës së planifikuar do të sjellin ulje të nivelit të ujërave nëntokësor, tjetërsimin e lagunave, humbjen e vlerave të biodiversitetit dhe ndryshimin e vijës bregdetare nga erozioni.

Prezantimi i të dhënave në Konferencë për shtyp. (c) O. Nika/EcoAlbania

“Shqipëria ka nivele shumë të larta të erozionit 20 – 40 ton / ha në vit”, deklaroi Christoph Hauer, nga Universiteti BOKU – “Autoritetet duhet të marrin masa paraprake për të shmangur në Vjosë një situatë me humbje të shumëfishtë: (i) humbjen e efiçencës për prodhimin e energjisë elektrike për shkak të sedimentimit; (ii) humbjen e integritetit ekologjik të lumit të madh të vetëm të paprekur në Europë, (iii) humbjen e mundësisë për përdorim turistik dhe prodhimeve të peshkimit në lagunat dhe përgjatë bregdetit”.

Studime të tilla të thelluara, ende nuk janë kryer për lumin e Vjosës qoftë nga autoritetet shtetërore apo nga propozuesit e koncesioneve të hidrocentraleve mbi Vjosë. Ky studim është në fazat e tij paraprake dhe rezultatet e studimit do të bëhen publike në pranverë të vitit 2019.

Pamje nga matjet në terren. (c) K. Skrame

Informacion shtesë:

Përpjekja e shkencëtarëve evropianë nga Gjermania, Austria, Shqipëria dhe Sllovenia për mbrojtjen e lumit Vjosë nga ndërtimi i digave, nëpërmjet nismës “Shkencëtarët për Vjosën” synon të zgjerojë njohuritë dhe të dhënat mbi Ekosistemin e lumit Vjosë, me qëllim krijimin e një baze argumentuese më të fortë në mbrojtje të lumit Vjosa. Studimi i Sedimenteve po realizohet nga Universiteti BOKU i Vienës, Austri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *