30 shkencëtarë të huaj dhe shqiptarë kryejnë studime shkencore në Vjosë: Jo HEC-it të Poçemit

Shumë pak shqiptarë janë të vetëdijshem se Vjosa, lumi më i madh i Shqipërisë jugore është lumi i fundit në Evropë, i cili, deri tani, nuk e ka ndërruar rrjedhën e tij”, – thotë profesor Fridrich Shiemer, ekologjist i famshëm nga Universiteti i Vjenës.


30 ekspertë shqiptarë dhe të huaj të ardhur nga Austria,Gjermania, Sllovenia janë mbledhur për të studiuar për rreth 1 javë lumin e Vjoses, rreth efekteve negative që pritet të ketë ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit. Ekipi i studiuesve të mjedisit ka bërë kërkime në 5 km gjatësi dhe 2 km gjerësi në afëri të fshatit Kutë, që është parashikuar të përmbytet nga rezervuari i digës nëse HEC-i i Pocemit do të ndërtohet. Ekspertët flasin për një rezultat komples të studimit, ku në lumin e fundit të egër në Evropë, sic e cilësojnë ata, janë konstatuar, shumëllojshmëri gjallesash dhe peizazh kompleks.

Për më pak se një javë grupet e punës do të eksplorojnë habitatin ndërkohë që një pjesë e të dhënave të grumbulluara do të ekzaminohen në laborator. Sidoqoftë, vëzhgimet e drejtpërdrejta në terren dëshmojnë për një pritshmëri të lartë.

Shkencëtarë dhe ekspertë të natyrës në ekspeditën e Vjosës. (c) A. Rama


“Kjo është një zonë e pastudiuar, kësisoj ne nuk i dimë pasojat që mund të shkaktojë ngritja e kësaj dige betoni. Pa dyshim që një pjesë e tokave do të përmbyten dhe shtrati do të ndryshojë. Diga do të bllokojë gjithçka. Bashkë me rrjedhjën do të ndalohet edhe jeta. Duhet pak më shumë kohë për ta lexuar natyrën dhe vendimet duhen të merren nga shkencëtarët e jo nga politikanët”, perfundon Ulrich Eichelmann nga RiverWach.


Një grup gazetarësh nga “National Geographic”, “Radio ORF”, “Le Courriers des Balkans” dhe “ARTE”, do të jenë të vetmit shoqërues në këtë aventurë mjedisore ballkanike. Së bashku me shkencëtaret, kamerat e këtyre mediave të fuqishme do të dokumentojnë gjithçka.

Rezultatet e para të studimit tregojnë për një shumëllojshëmri gjallesash në Vjosë. Në një kohë kur shumë kafshë dhe bimë janë zhdukur prej kohësh në lumenjtë e Europës, në Vjosë këto janë të shumta.

Shkencëtarët duke analizuar ekosistemin e Vjosës. (c) A. Rama


Shkencëtarët kanë identifikuar 20 lloje të ndryshme peshqish në vetëm dy ditë studim. Sipas tyre, të dhënat e përfituara do të analizohen në laborator dhe raporti final i përfituar, do t’i paraqitet qeverisë shqiptare.


Një nga punët më të rëndësishme në terren ishte hartëzimi i peizazhit të Vjosës.


“Matjet tona tregojnë transportin masiv të sedimenteve në Vjosë. Kjo tregon se rezervuari i planifikuar do të mbushet për 20-30 vjet. Në periudhën e mesme, prodhimi i energjisë do të ulet drastikisht, duke sjellë një situatë ku të gjithë janë të humbur. Megjithatë është shumë e nevojshme të bëhen edhe matje të tjera”, thotë Dr Christoph Hauer, nga Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë, Austri.

Biologu Wolfram Graf duke eksploruar shtratin e Vjosës. (c) A. Rama

“Kjo nismë është vetëm fillimi i vlerësimit të ndikimeve që ky hidrocentral do të ketë mbi lumin e Vjosës, nëse ndërtohet. Është i domosdoshëm një program 3-vjeçar për studimin e nivelit të ujërave nëntokësore, rrezikun e tharjes së lagunave, humbjen e gjallesave dhe ndryshimit të vijës bregdetare nga erozioni. Një studim i tillë do të ishte i domosdoshëm”, thotë profesor Aleko Miho.


Por të mërkurën në 26 prill, organizatorët kanë ideuar një aktivitet të veçantë. Pasdreke, në orën 15:00, aty ku mendohet të ndërtohet diga, në mes lumit, në Vjosë, aty ku shtrati degëzohet e formon një prej ishujve të tij të shumtë përgjatë trajektores, shkencëtarët, tamam mbi këtë ishullth, pra mu në mes të lumit, kanë vendosur të mbajnë një konferencë për shtyp, një konference nga më të çuditshmet, ku pjesëmarrësit, si rrallë herë, do të mbërrijnë me varkë!

Lajmin mund ta gjeni të publikuar në mediat më poshtë:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *